ATK-ja ndryshon procedurat e pajisjes me vërtetim tatimor
Foto: Laura Hasani

ATK-ja ndryshon procedurat e pajisjes me vërtetim tatimor

Ekonomia September 18, 2023 - 13:28

Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se, bazuar në Ligjin në fuqi për Administratën Tatimore dhe Procedurat, si dhe në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-176 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përmbajnë Procedura të Veçanta Administrative dhe Harmonizimin e tyre me Ligjin Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, ka nxjerrë udhëzuesin me të cilin plotëson/ndryshon procedurat e pajisjes me vërtetim tatimor.

Qëllimi i këtij Udhëzuesi është informimi i personave/tatimpaguesve për procedurat që duhet ndjekur për t’u pajisur me Vërtetim Tatimor, përgjegjësitë e zyrtarëve të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve në Drejtoritë Rajonale për të lëshuar Vërtetimin Tatimor, si dhe përgjegjësitë e zyrtarëve të Teknologjisë Informative në ATK për të mundësuar gjenerimin e vërtetimit tatimor.

Pajisja me vërtetim tatimor mund të bëhet në mënyrë elektronike dhe në mënyrë manuale.

Tatimpaguesi (biznesi) mund të pajiset me Vërtetim Tatimor on-line përmes Sistemit Elektronik EDI apo në zyrën përkatëse rajonale të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve. Ndërsa Personi fizik jo-afarist (individi) mund të pajiset me Vërtetim Tatimor on-line përmes ueb faqes së ATK-së apo përmes linkut https://evertetimi.atk-ks.org/ ose në cilëndo zyre rajonale më të afërt të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve.

Vërtetimi Tatimor për personat fizikë afarist dhe personat juridikë, lëshohet nga ATK vetëm: në rastet kur tatimpaguesi nuk ka ndonjë detyrim tatimor të pashlyer; në rastet kur tatimpaguesi ka obligime të pashlyera, mirëpo, është në marrëveshje për pagesë të atij borxhi me këste; si dhe në rastet kur personi është i regjistruar në ATK dhe ka borxhe aktuale tatimore të pashlyera, mirëpo, është në procedurë të ankesave në Divizionin e Ankesave.

Ndërsa, vërtetimi tatimor për personat fizikë joafaristë (individët), lëshohet nga ATK-ja vetëm: në rastet kur personi nuk ka ndonjë detyrim tatimor të pashlyer; në rastet kur personi ka obligime të pashlyera, mirëpo, është në marrëveshje për pagesë të atij borxhi me këste; kur personi është i regjistruar në ATK dhe ka borxhe aktuale tatimore të pashlyera, mirëpo, është në procedurë të ankesave në Divizionin e Ankesave; si dhe në rastet kur ATK-ja nuk ka shënime për personin.

Ky Udhëzues hyn në fuqi në datën e nënshkrimit, ndërsa fillon të zbatohet nga data 01 tetor 2023 dhe i njëjti shfuqizon “Udhëzuesin lidhur me procedurat e pajisjes me vërtetim tatimor” të datës 14 tetor 2020.