Fitimprurës, mbarështimi i deleve dhe i dhive

Fitimprurës, mbarështimi i deleve dhe i dhive

Ekonomia September 10, 2023 - 09:12

Hidajet Guri mbarështues i deleve dhe dhive, nga fshati Nikaj i Kaçanikut, tha se ka nevojë për një shtallë e cila do të plotësonte kërkesat e tij.

Mbarështimin e deleve dhe dhive Hidajet Guri thotë se e kishte filluar 8 vite më parë. Asokohe ai kishte pasur vetëm 4 dele. Brenda një viti kishte arritur në 130 sosh. Këtë pranverë numri total I dy kopeve ishte 800. Këtë sukses thotë se e kishte arritur me përkushtim dhe dashuri ndaj tyre.

Në muajin gusht ky mbarështues kishte 300 dele dhe mbi 150 dhi. Në pakësimin e numrit kishte ndikuar shitja e qengjave dhe kecave. E shitja ishte aq e mirë, saqë Hidajeti nuk kishte arritur t’i përmbushë të gjitha kërkesat.

Delet si edhe gjedhet e tjera dallojnë për nga lloji. Disa prodhojnë më tepër qumësht e disa japin më tepër qengja për majmëri. Hidajeti po mbarështonte delen e Sharrit, arsyeja lidhet me kullosat dhe klimën që mbretëron

Krahas përzgjedhjes së llojit kujdes i veçantë duhet ti kushtohet edhe vjetërsisë së bagëtisë. Për të parandaluar përshpejtimin e procesit të pleqërisë kjo familje i lejonte delet që të lindnin një herë në vit.

Krahas deleve të Sharrit Familja Guri mbarështon edhe dhinë e kuqe ballkanike. Ata na shpjegojnë se mbarështimi i dhive në krahasim me atë të deleve, është më i lehtë dhe më i lirë. Ndikim në ulje të kostos së mbarësimit ka edhe fakti se dhitë kullosin edhe gjatë dimrit.

Ata kishin vendosur të mbarështojnë dhinë e kuqe të Ballkanit pasi sipas tyre kanë qumështin më cilësorë dhe përshtatet më mirë me kushtet klimatike tona në krahasim me llojet tjera. Po ashtu janë edhe më të qëndrueshme ndaj sëmundjeve.

“Dhitë e kuqe të Hasit kanë edhe shpenzime më të vogla sesa ato alpine. Qumësht prodhojnë më pak por e kanë më kualitativ”, tha ai.

Kultivimi i gjedheve në bjeshkë bëhet për shkak të kullosave të shumta dhe cilësisë së barishtave të tyre. Pranvera e ftohtë me reshje të shpeshta derisa dëmtoi pemët, perimet dhe kulturat lavërtare në kullosa kishte ndikuar pozitivisht pasi ato sivjet ishin më të pasura me bimë. Problematikë ishte vetëm lagështia e cila pengon zhvillimin e mirëfilltë të deleve.

Kullosat ishin të pasura këtë vit por këtij fermeri nuk po i mjaftojnë hapësirat. Problemet më të mëdha na tregon se i ka në pranverë, në kohën kur fushat mbjellën me kultura lavërtare.

Pas korrjes së grurit punë bëhet më e lehtë për këtë familje, pasi në këto hapësira kullosin gjysmën e kopesë.

Rezik si për çdo gjedhe edhe për ato të imta janë edhe sëmundjet, te cilat sipas mjekut veternier Hyzri Ymeri nuk ishin të pranishme këtë verë siç ka ndodhur viteve të kaluara

Një sëmundje e cila vazhdon të prekë edhe zonën e Kaçanikut dhe e cila pothuajse është e pamundur të çrrënjoset mbetet sëmundja infektive që shkakton qalimin, e cila merret edhe në kullosa. Qalimi nuk është sëmundje që ndikon në cilësinë e produktit por vetëm në vështirësimin dhe ngadalësimin e kullotjes nga gjedhet.

Problematikë serioze për këtë fermerë është mungesa e stallës. Në mungesë të saj ai i mban gjedhet në hapësira të mbrojtura me najlon. Ai thotë se nuk ka aplikuar për stallë pasi kohë më parë kur kishte dëshiruar të aplikojë për pajisje shumë të vogla bujqësore nuk ishte marrë parasysh në komunë.

Problem i cili po vazhdon në këtë sektor tash e disa vite është edhe shitja e leshit të deleve. Në mungesë të plasmanit fermerët duhet ta hedhin atë.

Familja Guri këtë veprimtari e ushtrojnë me 6 anëtarë të familjes pasi ka mungesë të fuqisë punëtore. Ata punojnë edhe 20 hektar tokë, 6 i kanë të tyre të tjerat i marrin me qira për t’i mbjellur me grurë. Misër dhe jonxhë. Thotë se shumicën e ushqimit e sigurojnë vetë.

Edhe në komunën e Kaçanikut si në komuna tjera, viteve të fundit ka ulje të fondit blegtoral, kjo sipas mjekut veteriner Ymeri po ndodhë edhe për arsye se ka filluar të ndryshojë qasja ndaj mbarështimit të bagëtisë nga mbarështimi në numër të vogël për shtëpitë në ferma më të mëdha./rtk