Sllovenia identifikoi një rast të kimikatit kancerogjen në çipsin Vipa

Sllovenia identifikoi një rast të kimikatit kancerogjen në çipsin Vipa

Ekonomia September 09, 2023 - 20:12

Më 2 qershor të këtij viti, sistemi rapid i Bashkimit Evropian ka alarmuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës për nivel të lartë të kimikatit kancerogjen Akrilamideve në një produkt të prodhuar në Kosovë. Produkti ishte Vipa Çipsi.

Dërgesa ishte nisur nga Kosova për tregun italian, por gjatë rrugës transit në Slloveni ishin marrë disa mostra për analiza.

Rezultatet kishin dalë që sasia e akrilamideve ishte trefish më e lartë se niveli i lejuar. Kështu, duke e konsideruar të rrezikshme për konsum.

“Eksporti jonë është në shumë vende të Evropës, mirëpo në këtë kohë nga distrubutori ynë në Itali kemi marrë informacionin se pas analizave, njëri nga produktet tona ka dalë me vlera më të larta se që është e lejuar me akrilamide”, tha menaxheri i cilësisë në kompaninë “Pestova”, Agran Halimi.

Akrilamidet janë kimikate që krijohen gjatë pjekjes së disa produkteve ushqimore në temperatura të larta.

“Akrilamidi është një komponent kimik, i cili krijohet kur aminoacidi aspartin që gjendet në ushqime të ndryshme, për shembull si tek patatja në kontakt me sheqernat e tyre, krijohet në temperatura të larta gjatë përgatitjes së ushqimeve, pra gjatë fërgimit për shembull krijohen akrilamidet, kjo është ajo mënyra se si krijohen”, tha mjeku specialist i ekologjisë humane në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Ergyl Binçe.

Sasia e saj mbi nivelin e lejuar nxit zhvillimin e kancerit tek njeriu.

“Është treguar që është i dëmshëm sa i përket pjesës nervore të njeriut, i dëmshëm në organet reproduktive, posaçërisht tek meshkujt. Por, d.m.th ka edhe dëme të tjera që mund të bëjë. Faktikisht i ndihmon rrethanat për krijimin e kancerit”, tha Binçe.

Për këtë, autoriteti italian duke u bazuar në rezultat e autoriteteve sllovene, të dy vende këto pjesë e Bashkimit Evropian, kishte bërë tërheqjen e tyre nga tregu dhe asgjësimin.

“Pas marrjes së informatës nga Bashkimi Evropian, sepse sistemi i Bashkimit Evropian është për të gjithë vendet e Bashkimit Evropian nga është identifikuar nga Sllovenia, e më të cilën pastaj produkti i cili ka qenë i llotit të hershëm, ai produkt nuk është kthyer në Kosovë, por është identifikuar dhe është asgjësuar”, tha kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tershnjaku.

Se sa është sasia e prodhimit vendor të asgjësuar nga autoritetet italiane nuk e di kryeinspektori sanitar. Ndërsa, nga kompania “Pestova”, sasia thonë të jetë rreth 200 paketa me nga 9 çipsa që në total i bie 1 mijë e 800 çipsa.

“Sasia që ka shkuar në Itali nëse jam i sigurt kanë qenë diku 200 paketa, dhe nga tregu italian menjëherë janë tërhequr nga tregu dhe si të tilla në bazë të rregulloreve të shtetit italian produkti i tillë është asgjësuar.”, tha menaxheri i cilësisë në kompaninë “Pestova”, Agran Halimi./BetimipërDrejtësi