Aliu: Disa qese të plastikës ndalohen e disa do të bëhen me pagesë
Foto: Laura Hasani

Aliu: Disa qese të plastikës ndalohen e disa do të bëhen me pagesë

Ekonomia September 07, 2023 - 10:50
Finalizohet Udhëzimi Administrativ

Qeset e plastikës janë bërë me pagesë e disa do të ndalohen krejtësisht.

Kjo falë finalizimit të Udhëzimit Administrativ. Kështu ka bërë të ditur ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Image

Në një konferencë për medie së bashku me shefin për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, Aliu tha se ndalimi i qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron do të jetë i menjëhershëm, ndërsa do të lejohen vetëm qeset për fruta e që nuk do të kenë ato mbajtëset përmbi.

Image

“Me miratimin e udhëzimit administrativ për ambalazhet mbeturinë, i cili është miratuar në Qeveri dhe projektet që dalin nga ky udhëzim administrativ. Me eliminimin e qeseve të plastikës dhe rimbursimin e depozitës që ka të bëjë me shishet e plastikës e që rezultuan pasi punët që i kemi bërë duke analizuar sistemin, në këtë udhëzim administrativ që është miratuar e që do të ketë drejtpërdrejt ndikim tek ambienti, duke eliminuar qeset e plastikës dhe duke eliminuar shishet e plastikes dhe trajtimin e ambalazhit të plastikës”, tha Aliu.

Image

Ministri Aliu deklaroi se qeset nga 25 deri në 50 micron do të lejohet përdorimi , por që do të jenë me pagesë dhe se nuk do të kenë logo të prodhuesve.

 

“Me udhëzimin administrativ që ka të bëjë me qeset e plastikës, do t’ju informoj se do të kemi ndalim të qeseve të plastikës nga 0 deri 25 micron. Pra qeset e holla të plastikës, të cilat përdoren sot dhe mund të merren në markete falas do të ndalohen plotësisht. Nga 0 deri 25 micron do të lejohen vetëm qeset, të cilat përdoren për fruta e nuk do të kenë ato mbajtëset. Ndërsa qeset nga 25 deri në 50 micron do të lejohet përdorimi i tyre dhe do të kushtojnë 5 centë, por nuk do të lejohet që të kenë logo të prodhuesve”, tha Aliu.

 

“Do të kemi ndalim të prodhimit, importeve dhe shitjes në treg të qeseve plastike mbajtëse ose degraduese… Për qeset e plastikës të biodegradueshme të çfarëdo madhësie dhe trashësie me një certifikatë përkatëse që vërteton që qeset e plastikës janë nga materiali i biodegradueshëm do t’i vendoset çmim prej 0.02 euro. Për qeset e plastikes mbajtëse me doreza mbi 50 micron nuk do të vendoset çmim shitje minimal detyrues e as tarifë prej 0.02 eurove”, u shpreh tutje Aliu. /eo