Kurti: Reforma pensionale të bëhet mbi parimin e gjithëpërfshirjes

Kurti: Reforma pensionale të bëhet mbi parimin e gjithëpërfshirjes

Ekonomia September 05, 2023 - 11:50

Nën organizimin e Grave për Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti mori pjesë në një bashkëbisedim me gratë pensioniste nga komuna e Prishtinës.

Ai ka thënë se biseda me gra të kësaj moshe, që e kanë njohjen, përvojën e mbi të gjitha dashurinë për vendin, është gjithnjë mësim për secilin.

Kryeministri Kurti ka njoftuar se në takim janë trajtuar shumë çështje që nga brengat rreth reformës së skemës pensionale deri te nevoja për pensione më të larta.

“Pa dyshim gatishmëria që kemi treguar duke ndihmuar këtë kategori në përballje me inflacionin dhe vendimi që të mos e lemë asnjë pension nën 100 euro, ishin vendime që u vlerësuan nga secila prej grave pensioniste”, shkroi Kurti në Facebook.

Kryeministri tha se kanë bashkëbiseduar edhe për punët tjera që kanë bërë për këtë gjysmë mandati për këtë kategori, e cila siç tha ai, asnjëherë nuk është trajtuar sistematikisht e ashtu siç duhet.

Ai ka thënë se si qeveri miratuan ndryshimet në ligj për t’ju mundësuar pensionistëve që janë larguar nga puna në vitet '90-ta të përfitojnë nga pensionet kontributpaguese, nga e cila nismë përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë.

“Mbi 280 mijë pensionistë kanë përfituar tri herë shtesa nga 100 euro, në nëntor 2021, prill 2022 dhe tetor 2022. Miratuam ndryshimet në ligj për t’ju mundësuar pensionistëve që janë larguar nga puna në vitet ’90 të përfitojnë nga pensionet kontributpaguese, nga e cila nismë përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë/e. Vizita në shtëpi për pensionistët që janë mbi 80 vjeç apo që për shkaqe shëndetësore nuk mund të paraqiten fizikisht në zyrat e pensioneve. Kemi arritur marrëveshje të njohjeve të kontributeve të sigurimeve për efekt pension pleqërie me Shqipërinë, që është vënë në zbatim për qytetarët në Shqipëri e Kosovë”, shkroi ai.

Ai më tej ka thënë se së bashku me gratë pensioniste u pajtuan që reforma pensionale duhet të bëhet mbi parimin e gjithëpërfshirjes dhe drejtësisë.

“Ato që sot janë pensioniste kanë bërë shumë për këtë shoqëri dhe tash ne si qeveri dhe si shoqëri duhet të bëjmë më shumë për to, në mënyrë që secila të ketë mirëqenie dhe jetë të mirë”, shkroi ai.