Murati u bën thirrje komunave tjera ta fillojnë procesin e faljes së një pjese të tatimit në pronë

Murati u bën thirrje komunave tjera ta fillojnë procesin e faljes së një pjese të tatimit në pronë

Ekonomia September 02, 2023 - 13:57

Graçanica, Obiliqi, dhe Drenasi janë komunat të cilat kanë filluar procesin e faljes së një pjese të tatimit në pronë, në bazë të ligjit të ndryshuar për këtë çështje.

E në lidhje me këtë ka reaguar ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili u ka bërë thirrje edhe komunave të tjera të vendit që ta ndjekun shembullin e tri komunave të lartëpërmendura, raporton Zeri.info.

“Si Qeveri, kemi hartuar ligjin e ndryshuar, dhe ligji është miratuar në Kuvend. Një mundësi të tillë për të lehtësuar barrën e tatimpaguesve e patën kërkuar pothuajse të gjitha komunat. Tani, u takon komunave të vendosin nëse duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi ose jo”, u shpreh ai.

Murati ndër tjera tha se deri në fund të muajit gusht nga tatimi në pronë komunat kanë mbledhur mbi 35 milionë euro, që e tejkalon me rreth 500 mijë euro nivelin e mbledhur për komplet vitin 2022.

“Marrë parasysh këtë performancë të mirë, i inkurajoj edhe komunat tjera që të shfrytëzojnë mundësinë e faljes së një pjese të tatimit në pronë që të lehtësojnë barrën e qytetarëve, para datës 15 shtator 2023, kur edhe përfundon afati ligjor”, shkroi ai në Facebook. /Zëri