Miratohet në lexim të parë Projektligji për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë
Është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme. Ky ligj hyn në fuqi me 61 vota pro, dy abstenime dhe asnjë kundërshtim.
Debati për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, i cili rrit tatimin për 100%, po vazhdon në Kuvendin e Kosovës. Opozita është duke e kundërshtuar, teksa ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se po propagandohet ky projektligj.
“Ka një tendencë që opozita ka vendosur të mos e votoj dhe nuk po heziton të shpërndajë propaganda kundër këtij ligji. Ne po synojmë atyre qytetarëve që kanë banim primar, që jetojnë në banesë ose shtëpi, atyre t’u lirohet tatimi, ndërkaq të paguajnë më shumë ata që kanë miliona”, ka thënë ai.
Abelard Tahiri, nga Partia Demokratike e Kosovës, e ka cilësuar si dëm për qytetarët rritjen e tatimit në pronë prej 100%. Madje ai tha se do të bëjnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër këtij projektligji.
“Falja e asaj shume të cilën Qeveria e konsideron e mjaftueshme, është e pamjaftueshme. Aq më shumë që barra që po ju vjen qytetarëve është jashtëzakonisht e rëndë dhe po e vlerëson jetën në vendin tonë”, ka thënë Tahiri.
Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se janë kundër këtij projektligji.
“Ne si LDK kemi propozuar që një vlerësim i tillë të pezullohet dhe tatimi në pronë të faturohet sikur më parë. Ajo çka ministri Murati të mbahet vlerësimi që është bërë në kushte të inflacionit enorm dhe t’u jepen 100 euro. Sot me ligjin që e keni propozu ju tentoni t’ua vështirësoni jetën bizneseve, atyre të cilat sot po kanë problem funksionimin”, është shprehur Bajrami, raporton rtklive.
Pal Lekaj nga AAK-ja ka thënë se kjo rritje vjen në një kohë të vështirë për qytetarët.
“Shumica e komunave të Kosovës humbin. Kemi kundërshtuar edhe në komision, sepse i zvogëlon edhe të hyrat prej 70% të Komunës, ky ligj është pruar sa për të bërë politikë populiste e jo që shkon në favor të qytetarëve”, tha Lekaj.