Vërshimet e janarit lanë dëme edhe në bujqësi, pritet kompensimi
Foto: Ilustrim

Vërshimet e janarit lanë dëme edhe në bujqësi, pritet kompensimi

Ekonomia May 27, 2023 - 16:54

Vërshimet e muajit janar që kishin përfshirë komuna të ndryshme të Kosovës, pas vete lanë dëme edhe në bujqësi. Sipas Komisionit Qendror për Vlerësimin e Dëmeve, vlera e dëmeve që ishte shkaktuar në tetë komuna ishte mbi 1 milion euro. Bujqit ankohen se kompensimi i dëmit nuk është bërë ende. Ndërkohë, nga Qeveria nuk kanë treguar për Radio Kosovën nëse është bërë kompensimi.  

Nga vërshimet e janarit dëme kanë  pësuar bujq nga Skenderaj si komuna më e goditur nga vërshimet, por dëmet nuk kanë munguar as në komunat e tjera.

E ndërkohë ende kompensimi i këtyre dëmeve nuk ka filluar.

Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë në lidhje me vlerën e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe nëse është bërë kompensimi. Nga kjo ministri kanë thënë se për këtë çështje përgjigje të kërkojmë nga Komisioni Qendror për Vlerësimin e Dëmeve. Ky komision tashmë e ka përfunduar raportin për dëmet në komunat: Skenderaj, Klinë, Podujevë, Pejë, Junik, Deçan, Istog dhe  Mitrovicë e veriut. “Vlera e dëmit të shkaktuara në bujqësi nga vërshimet e janarit 2023 në komunat e lartcekur është pak më shumë se 1 milionë e 84 mijë euro. Raportin e kemi dorëzuar në zyrën e arkivit të Kryeministrisë dhe nuk kemi informata se a është bërë ndonjë kompensim”, ka thënë nëpërmjet emaili, Kastriot Lajqi – kryesues i Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve.

Radio Kosova ka pyetur edhe Zyrën e Kryeministrit nëse është bërë kompensimi i dëmeve të shkaktuara në bujqësi. Por, përkundër interesimit dhe pritjes disa ditore nga ky institucion nuk janë përgjigjur.

Se akoma nuk janë kompensuar bujqit e thotë kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri. Kompensimi i dëmeve është shumë i nevojshëm thotë ai, teksa shton se nuk e di se kur mund të ndodhë kjo.

“Nëse nuk kanë mjete për kompensimin e dëmeve më mirë do të ishte që Ministria e Bujqësisë të dalë publikisht dhe të thotë se nuk kemi mjete me iu dalë në ndihmë bujqve dhe bujqit të llogarisin në forcat e veta për gjetjen e rrugëdaljeve sipas mundësive që kanë. Mirëpo, në mungesë të informacioneve bujqit kanë mbetur në pritje të kota të cilat po i çojnë në mos zgjidhjen e problemeve”, tha ai.

Edhe profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se bujqit e dëmtuar duhet kompensuar.

“Shkalla e dëmeve duhet të kompensohet për vlerën që ka pësuar fermeri. Ministria duhet t’i kompensojë ata që janë dëmtuar, gjithmonë konform monitorimit në terren, real e faktik”, tha ai.                                                                                

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ditë më parë paralajmëroi se së shpejti pritet të kompensohen fermerët e dëmtuar nga vërshimet e janarit.