EUROSTAT: Shqipëria, ndër vendet me sezonalitetin më të lartë turistik në Evropë

EUROSTAT: Shqipëria, ndër vendet me sezonalitetin më të lartë turistik në Evropë

Ekonomia May 24, 2023 - 08:55

Shqipëria po bën përpjekje për ta shtrirë turizmin përgjatë gjithë vitit, por sërish në muajt e verës është përqendrimi më i lartë i turistëve, ndryshe nga shtetet e tjera të Evropës, ku hotelet janë të zëna me punë pothuajse gjatë gjithë vitit.

Kroacia, Greqia, Bullgaria, Shqipëria dhe Mali i Zi janë renditur nga EUROSTAT ndër vendet që kanë sezonalitetin më të lartë turistik në Evropë.

Në total, rreth një e treta e netëve turistikë në Evropë janë shpenzuar në korrik dhe gusht, sipas EUROSTAT. Ndërsa në Shqipëri, kjo peshë arriti në rreth 46%, sipas përpunimeve të Monitor, bazuar në statistikat e EUROSTAT, e treta pas Kroacisë (59%) dhe Bullgarisë (48%), duke lënë pas Greqinë (43%), raporton Monitor.

Gjithsej, në Shqipëri u shënuan në vitin 2022 rreth 3.83 milionë netqëndrime, me një rritje prej 20% në krahasim me vitin pararendës. Përmirësimi ka ndodhur në pjesën e parë të vitit, ndërsa në gusht netqëndrimet ranë me 2.5%, pas një përmirësimi në shtator dhe tetor, sërish nëntori dhe dhjetori kishin tendencë rënëse.
Në dy muajt e parë të 2023, numri i netqëndrimeve është rritur me 3.6%.

Evropa: Më shumë se një e treta e netëve turistike kalohen në korrik dhe gusht

Sipas EUROSTAT-it, sezonaliteti ka pasur gjithmonë një ndikim thelbësor në turizëm, dukuri e dukshme në modelet e mbërritjeve të turistëve dhe netëve e kaluara në hotelet dhe vendpushimet turistike të BE-së.

Gjatë periudhave të pikut të pushimeve, zonat turistike mund të përballen me mbipopullim dhe pakësim të burimeve. Anasjelltas, periudhat më të qeta mund të shkaktojnë objekte të papërdorura dhe paqëndrueshmëri të punës, për shkak të luhatjeve të kërkesës.

Në vitin 2022, u vu re modeli tradicional sezonal, ku shumica e netëve të kaluara u regjistruan në gusht (18% e netëve të kaluara në 2022; 478 milionë net), e ndjekur nga korriku (16%; 440 milionë). Në të kundërt, përqindja e netëve të kaluara ishte më e ulëta në janar (3%; 89 milionë), e ndjekur nga shkurti (4%; 111 milionë).

Një pjesë e konsiderueshme e mbërritjeve, u regjistrua gjithashtu në korrik dhe gusht (secili muaj 14% e totalit të mbërritjeve në 2022; përkatësisht 127 dhe 128 milionë udhëtarë të ardhur). Duhet përmendur korrelacioni midis mbërritjeve dhe netëve të kaluara gjatë këtyre muajve të pikut.

Kulmi në netët e kaluara, është më i madh sesa kulmi i mbërritjeve, duke sugjeruar që turistët priren të qëndrojnë më gjatë në këto muaj tepër ngarkuar, kohë e cila korrespondon me periudhën kryesore të pushimeve. Kjo tendencë rrit kërkesën për akomodime gjatë sezonit të verës.
Muajt e pikut për netët e kaluara, ishin korriku dhe gushti në të gjitha vendet e BE-së në vitin 2022. Modeli sezonal ishte më i theksuar në Kroaci (59% e netëve të kaluara në 2022), Bullgari (48%) dhe Greqi (43%).

Ndërkohë, modeli sezonal ishte më pak i theksuar në Maltë dhe Finlandë (të dyja 25%) dhe Gjermani (26%).