Ekonomistët: Ndërmarrjet publike, më shumë barrë sesa kontribuuese të shtetit

Ekonomistët: Ndërmarrjet publike, më shumë barrë sesa kontribuuese të shtetit

Ekonomia May 24, 2023 - 08:45

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se së shpejti ndërmarrjet publike do të barten në Fondin Sovran të Kosovës. Kjo, sipas tyre, do të rriste mundësinë për investime. Por, njohës të ekonomisë vlerësojnë se ndërmarrjet publike janë më shumë një barrë e shtetit sesa kontribuues të shtetit.

Bartja e ndërmarrjeve publike në Fondin Sovran, do të ishte një eksperiment shqetësues për ekonominë e vendit. Duke folur për Radio Kosovën njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu vlerëson se në draftimin e Fondit Sovran kanë qenë të përfshirë më shumë ekspertë të jashtëm sesa vendorë, fakt që sipas tij, nuk i njohin mirë parametrat ekonomikë të Kosovës.

“Përmes fondit sovran do të hapet kutia e Pandorës për sa i përket ndërmarrjeve publike, në veçanti Trepçës dhe e treta sot ndërmarrjet publike shumë më tepër janë barrë e shtetit sesa kontribuues të shtetit, prandaj në këtë drejtim, besoj se një eksperiment i tillë do të jetë mjaft shqetësues. Po i shihni efektet që i ka negative, e shikoni se çfarë është duke ndodhur në KEK, Trepçë, KOSTT e shumë ndërmarrje të tjera?! Prandaj depolitizimi është rruga kryesore dhe jo centralizimi. Nuk mund të ketë zhvillim pozitiv me politika majtiste”, konsideron Gërxhaliu.

Sipas planifikimeve të qeverisë, Fondi Sovran do të jetë një fond i pavarur, i cili nuk do t’i japë përgjegjësi as Kuvendit dhe as Qeverisë. Kjo situatë, sipas përfaqësuesit të bizneseve, Agim Shahini, na sjellë në një pozicion të pafavorshëm.

“Për shkak se nuk i japin asnjë përgjegjësi përveç vetes dhe ata nuk mund të krijojnë strategji se cilat ndërmarrje dhe si duhen që fondet të shpërndahen nëpër ndërmarrje. Sipas këtij ligji, ndërmarrjet publike nuk do t’i marrë të gjitha Fondi Sovran, por disa nga to. Dhe kjo neve na thotë se ai do të jetë një fond, i cili do të përcaktojë se kënd ta marrë, kë të zhvillojë dhe kë të financojë dhe këtu mendoj se duhet të jetë një ndërhyrje edhe te menaxhimi, te klasifikimi dhe te përgjegjësia”, tha ai.

Ndryshe, në njoftimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se ndërmarrjet publike së bashku me 24 mijë asete të tjera do barten nga Qeveria në Fondin Sovran, që sipas tyre, do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Më 7 maj, është mbajtur konferenca për themelimin e Fondit Sovran. Dhe sipas Qeverisë, konsultimet publike tashmë kanë përfunduar dhe shpejt do të miratohet në Qeveri. “Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik ndonjëherë në vend”, thuhet në njoftim.