Ekspertët: Duhet strategji nga Qeveria, që diaspora të investojë në Kosovë

Ekspertët: Duhet strategji nga Qeveria, që diaspora të investojë në Kosovë

Ekonomia May 21, 2023 - 14:02

Përkundër faktit që ndër vite janë shënuar përparime në disa faktorë si reforma në politikën tatimore, Kosova vazhdon të jetë sfidë për tërheqjen e investimeve të mëdha, e sidomos të atyre nga diaspora.  Ekspert e ekonomisë vlerësojnë se qeveria duhet të krijojë strategji për t’i riorientuar investimet e diasporës, në veçanti në procesin e prodhimit.

Diaspora mund të jetë një forcë e dobishme për zhvillimin e vendit duke rritur kapitalin financiar dhe rrjedhimisht nxitur krijimin e vendeve të punës. Duke folur për Radio Kosovën, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thekson se investimet e diasporës qeveria i ka listuar në kategorinë si investime të huaja, përkundër lidhjes që diaspora ka me Kosovën.

 “Nga të gjitha qeveritë vazhdimisht ka pas një trajtim gati të njëjtë të investitorëve të huaj pa i dalluar ata nga diaspora. Ajo çka duhet të bëje shteti është që të shoh që në ofertën për investitorët e huaj, të ketë një dritare të veçantë komunikimi për diasporën edhe për mbajte të kontakteve dhe raporteve me investitorët e diasporës”, thotë Zeka.

Qeveria duhet të bëjë një reformë të politikës fiskale për investimet e diasporës, t’i liroj nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe nga akciza. 90 për qind e mjeteve të diasporës shkojnë në patundshmëri dhe një pjesë shumë e vogël e tyre është në procesin e prodhimit, thotë për Radio Kosovën, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

“Diaspora jonë kanë avancuar shumë, kanë kompani që kanë themeluar jashtë dhe po tregohen çdo ditë e më të suksesshëm dhe këtë sukses ish dashtë me bart edhe në Kosovë”, thotë Rafuna. Sipas tij, ankesat e tyre janë se e para kur të vinë në Kosovë, i shëtisin nga një zyre në zyrën tjetër, d.m.th nuk kanë një zyrë ku i orientojnë.

“Pastaj  kanë shumë barriera e të cilat nuk i kanë në asnjë vend ku investojnë, p.sh jemi në vitin 2023   dhe ende ata detyrohen që TVSH-në, ta paguan në avancë, dhe kjo nuk është diskriminim vetëm ndaj diasporës, por për të gjithë”.

Një raport i fundit i organizatës GERMIN, për diasporën e Kosovës dhe rolin e saj në mes krizave të shumta, thekson se duhet të krijohen mundësi të qëndrueshme dhe të qarta investimi për diasporën, pasi shumica e remitancave aktualisht po përdoren vetëm për konsum.

Ndryshe, vetëm gjatë vitit 2022, 485 milionë euro ishte vlera e investimeve të huaja direkte në Kosovë dhe 335 milionë vetëm në sektorin e patundshmërisë. Vëllimi i lartë i investimeve të huaja në sektorin e patundshmërisë kryesisht i atribuohet diasporës së Kosovës.