Tregtia Kosovë-BE, 2.7 miliardë euro në vitin 2022
Vlera e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përgjatë vitit 2022, ishte 2.7 miliardë euro.
Këtë lehtësi për tregti e ka bërë të mundur Marrëveshja për Stabilizim-Asociim. Kjo marrëveshje, ka mbushur shtatë vjet prej që është nënshkruar.
MSA-ja vendos kornizën e marrëdhënieve të Kosovës me BE-në për zbatimin e Procesit të para anëtarësimit deri në anëtarësimin e plotë në BE.
AnnaCarin Platon, shefe e Seksionit për Politika në Zyrën e BE-së në Kosovë, vlerësoi lartë votimin e Strategjisë për energji nga Kuvendi, teksa tha se po presin që ta shohin planin e zbatimit si dhe përgatitjet e strategjive e legjislacionit relevant nga ana e Ministrisë së Industrisë, Tregtisë e Ndërmarrësisë.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, tha se gjatë vitit 2022, është rritur vlera e shkëmbimeve tregtare me vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas saj, 41 për qind e shkëmbimeve të përgjithshme tregtare janë realizuar në vendet e BE-së.“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës si marrëveshje e parë kontraktuale, me të drejtë konsiderohet si një ndër hapat më të rëndësishëm për Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian.
Që nga hyrja në fuqi e MSA-së janë shumë tregues që tregojnë që shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian gjatë vitit 2022, arritën vlerën prej 2.7 miliardë euro, ku 41 për qind e shkëmbimeve e përgjithshme tregtare të Kosovës janë realizuar në vendet e BE-së.
Sa i përket eksporteve, një pjesë e mallrave janë drejtuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian, duke arrit vlerën e mbi 311 milionë euro.