Podujeva, e mbushur me ushqime pa afat
Foto: Laura Hasani / Ilustrim

Podujeva, e mbushur me ushqime pa afat

Ekonomia November 22, 2022 - 14:39

Inspektorët komunalë të Podujevës u kanë dhënë vërejtje 20 bizneseve për shkak të mosvendosjes së flamujve të origjinës dhe produkteve me afat të skaduar.

Sipas një njoftimi të Zyrës për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim të Komunës së Podujevës, malli me afat të skaduar është asgjësuar.

“Drejtoria e Inspeksionit nga data 9 nëntor deri më 21 nëntor ka zhvilluar kontrolle në 39 markete të mëdha e të mesme në komunën e Podujevës, ku gjatë këtyre kontrolleve janë monitoruar se a përputhen çmimet e ekspozuara me çmimet në arkë, afatin e skadimit të produkteve dhe vendosjen e flamujve të origjinës së produkteve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, “gjatë kontrolleve Inspektorati Komunal i Tregut ka shqiptuar mbi 20 vërejtje për marketet për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit dhe ka hasur në 9 markete produkte me afat të skaduar, ku edhe është bërë asgjësimi i këtyre produkteve”.

Zyrtarët komunalë kanë thënë se bazuar në kompetencat e saj, Drejtoria e Inspeksionit do të vazhdojë me kontrolle të rregullta, me qëllim te ruajtjes së konsumatorit nga manipulimet me çmime dhe nga produktet me afat të skaduar.