Kriza e tregjeve: Edhe nëse keni para, s’mund të blini produkte sa të doni
Sot në seancën parlamentare u miratua Ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, i draftuar dhe propozuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me akterët përkatës, zbatohet ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte themelore dhe ka për qëllim eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve, si dhe mungesës së produkteve themelore në treg.
Produktet themelore, në kuadër të këtij ligji, janë drithërat, miell gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët e pulës, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie.
Në këtë ligj përfshihen masat e përkohshme mbrojtëse që do të ndërmerren në raste të veçanta të destabilizimit në treg; shkaqet e caktimit të këtyre masave; mbikëqyrja për zbatimin e këtij ligji dhe sanksionet ndaj çdo shkelësi të këtyre masave që janë përfshirë në këtë ligj.
Ndër masat e përkohshme mbrojtëse, në raste të veçanta të destabilizimit në treg, të bazuara në evidencë dhe analizë të mirëfilltë, janë:
– Kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar;
– Ndalimi i largimit nga shitja e produktit;
– Caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë;
– Caktimi i çmimit maksimal të lejuar;
– Detyrimi i operatorit ekonomik për të ruajtur pjesën e caktuar të stokut të produktit;
– Detyrimi i operatorit ekonomik për t’u furnizuar dhe për të ofruar për shitje produktet themelore, si para caktimit të masave mbrojtëse;
– Ndalimi, kufizimi i eksportit;
Qëllimi është të ndalohet abuzimi me ngritje të çmimeve, me qëllim të shtimit të përfitimit. Projektligji është në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe çdo vendim i marrë sipas këtij ligji do të jetë në përputhje me zotimet dypalëshe mbrojtëse që Kosova ka marrë në kuadër të MSA-së dhe marrëveshjeve tjera ndërkombëtare.