Bajrami: Buxheti i vitit 2023 s’e parasheh ligjin e pagave dhe rritjen e pensioneve

Bajrami: Buxheti i vitit 2023 s’e parasheh ligjin e pagave dhe rritjen e pensioneve

Ekonomia November 02, 2022 - 09:44

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se buxheti i vitit 2023, të cilin e ka propozuar Qeveria, nuk ka paraparë rritjen e pagave dhe të pensioneve.

Bajrami ka thënë se rritja e pagave dhe pensioneve do të duhej të ndodhte për shkak të inflacionit, transmeton Zeri.info.

“Buxheti për vitin 2023 nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të pagave, s’parasheh as rritje pensionesh.

Kur Kosova po përballet me inflacion, Qeveria e Kosovës ka propozuar ‘buxhetin më të madh në histori’, ku nuk përfshinë rritje të pensioneve. Nuk ka paraparë as kosto për zbatimin e Ligjit të pagave. Pra, nuk ka paraparë rritje pagash, nuk ka paraparë as indeksim të pensioneve dhe pagave për normën e inflacionit. Inflacioni është 12.7 për qind. Për shportën bazë të konsumatorit rritja ka kalu 50-përqindëshin”, ka shkruar Bajrami.

Sipas saj, më së shumti nga inflacioni po preken familjet pa të ardhura dhe ato me të ardhura të ulëta.

“Në gjithë këtë situatë, Qeveria s’ka asnjë plan. Ndoshta, kjo Qeveri ka plan të ikë, sepse deri më tash s’po shohim as hapa minimalë për t’u përballur me këtë situatë të rënduar.

Partia në pushtet dhe komplet Qeveria janë kurthuar në temën e targave. Kanë shndërruar dialogun me Serbinë në temë qendrore. Konfrontimin me SHBA-në dhe BE-në e kanë bërë përditshmëri. Dhe, s’kanë asnjë zgjidhje për ekonomi, s’kanë zgjidhje për arsim, s’kanë zgjidhje as për shëndetësi”.

“Ndoshta, partia në pushtet dhe komplet Qeveria po punojnë në video propaganduese se si ‘Kosova po bëhet si Kroacia’”, shkroi Bajrami. /Zëri