Zeka: Rritja e pagave në Kosovë të korrespondojë me rritjen e çmimeve

Zeka: Rritja e pagave në Kosovë të korrespondojë me rritjen e çmimeve

Ekonomia September 14, 2022 - 08:45

Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përgatitjet që furnizimi me rrymë për dimër të jetë stabil, pasi vendi për çdo gjë varet nga energjia elektrike.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, tha se Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet për sezonin e dimrit sa i përket furnizimit me energji elektrike. Ne në Kosovë varemi për gjithçka nga energjia elektrike.

Ai ka folur edhe për dështimin e Kosovës në ndërtimin e termocentraleve të reja, siç është edhe “Kosova e Re”. Sipas tij, nuk ka dialog të mirëfilltë mes akterëve në Kosovë, Qeveri - komunitet të biznesit. “Ky dialog është në nivelin më të ultë”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit "Mirëmëngjesi Kosovë", në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Zeka vlerësoi se Kosova është vonë për çështjen e ngritjes së pagave. “Ngritja e pagave do të reflektonte me atë të rritjes së çmimeve”, tha ai.

Edhe paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e energjisë elektrike, sipas Zekës, nuk është i duhuri. I pari i Odës Ekonomike Amerikane ka kërkuar masa urgjente nga Qeveria, për shkak se edhe ikja e punëtorëve në mënyrë të rregullt do të bëhet problem.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, ka folur edhe për mundësinë e ndërtimeve të termocentralit të ri në vend, për shkak të resurseve që Kosova ka.

“Ne kemi pasur mundësi të ndërtojmë dy autostrada, ashtu-kështu nuk ka investimeve të mëdha në sektorin publik. Tani kemi reduktim ose kufizim të aktiviteteve ekonomike, pra po flasim për bllokim të potencialeve ekonomike”, tha Zeka.

Për dhënien e ndihmave nga Qeveria e Kosovës ai vlerësoi se nuk është masë e mirë. Sipas tij, më mirë do të ishte rritja e pagave në sektorin publik.