Qeveria ndan 10 milionë euro për skemën “Qeveria për Familjet”

Qeveria ndan 10 milionë euro për skemën “Qeveria për Familjet”

Ekonomia July 27, 2022 - 09:17

Qeveria në mbledhjen e fundit që ka mbajtur mbrëmë ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë, i datës 14 korrik 2021, me ndryshimet dhe plotësimet e bëra lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike.

Plotësimi dhe ndryshimi i vendimit ia shton Masës 1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe Masën 1.8, skema “Qeveria për Familjet”, për të cilën janë ndarë 10 milionë euro.

Përmes kësaj skeme, Qeveria synon punësimin afatgjatë të punëkërkuesve që nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar, ku do të subvencionojë pagat në masën 70%, deri në 300 euro maksimumi, për 6 muaj rresht, transmeton Zeri.info.

Kushtet për aplikim nga punëkërkuesit:

  • T'i përkasin grup-moshës 18-64 vjeçare;
  • Të mos kenë asnjë anëtar të familjes të punësuar;
  • Të jenë të regjistruar si të papunë/ punëkërkues në Agjencinë e Punësimit (APRK).

Kushtet për aplikim nga punëdhënësit;

  • Bizneset të jenë të regjistruara dhe aktive në Administratën Tatimore të Kosovës;
  • OJQ-të të jenë të regjistruara dhe aktive në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Mënyra e subvencionimit:

  • Kompensimi për punëdhënësin: 70% e pagës bruto (maksimumi 300 euro subvencionim nga Qeveria për punëtor);
  • Personat e angazhuar përmes kësaj skeme nuk duhet të përbëjnë më shumë se 30% të stafit ekzistues të biznesit.