Hekurudha Durrës - Prishtinë merr rrugë zbatimi në mbledhjen e Elbasanit
Foto:ZKM

Hekurudha Durrës - Prishtinë merr rrugë zbatimi në mbledhjen e Elbasanit

Ekonomia November 26, 2021 - 11:10

Mbledhja mes dy qeverive shqiptare në Elbasan ka prodhuar disa marrëveshje, ndër to edhe Marrëveshja për Fizibilitetin e Hekurudhës Durrës - Prishtinë.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se ka kënaqësi që po e prezanton memorandumin e sotëm.

“Përpos që do të plotësojë një ëndërr, në kuptimin historik të shqiptarëve, do të bëjë edhe një punë të rëndësishme ekonomike, që do të lidh Portin e Durrësit me Prishtinën, e përmes kësaj linje ky port do të ketë komunikimin e drejtpërdrejtë në Korridorin e 10-të dhe Korridorin e 8-të”, ka thënë Aliu, raporton “Zëri”.

Kënaqësi e veçantë për ministrin Liburn Aliu ishte edhe kthimi në Elbasan, ku ka kryer shkollën e mesme dhe kishte pasur shoqe klase ministren Evis Kushi.

Kurse, ministrja e Infrastrukturës e Shqipërisë, Belinda Balluku, ka thënë se tashmë ka fonde të ndara nga dy qeveritë për ta realizuar fizibilitetin e kësaj hekurudhe shumë të rëndësishme. /Zëri