Kosova refuzon projektin amerikan të gazit
Kosova nuk do të procedojë tutje projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit.
Kjo u bë e ditur nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmes një konference për media.
Ajo tha se projekti, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të vazhdojë pasi vendi ka nevojë për më shumë informata.
“Ne kemi nevojë për më shumë informata për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC-ja ka afate strikte kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit”.
“Në këtë situatë, përballë afateve kohore që ka MCC-ja, ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët por që gjithashtu ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, ka thënë Rizvanolli në këtë konferencë për media.
Muajve në vijim, ajo tha se Kosova do t’i vazhdojë punët intensive me ekipin e MCC-ja në këtë drejtim, dhe tha se “i jemi mirënjohës MCC-së dhe Qeverisë amerikane dhe agjencioneve zhvillimore amerikane për ndihmën teknike dhe financiare që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin sektorit të energjisë të Kosovës”. /Zëri