Klubi i Prodhuesve: Comodita së shpejti pritet të jetë kompania më e madhe në botë për prodhimin e dyshekëve

Klubi i Prodhuesve: Comodita së shpejti pritet të jetë kompania më e madhe në botë për prodhimin e dyshekëve

Ekonomia September 03, 2021 - 19:00

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka përgëzuar kompaninë Comodita, brendin e njohur të produkteve shtëpiake, për fillimin e ndërtimit të fabrikës më të re të prodhimit e cila pritet të ketë linjat më të fundit të teknologjisë së prodhimit të dyshekëve e që do të jetë mbi 80000m2, ku fillimisht pritet të punësojw rreth 2500 punëtorë.

"Ky sukses i kompanisë Comodita është zhvillim për tërë Kosovën jo vetëm për rajonin e Gjakovës, ku edhe ka filluar të bëhet ndërtimi i kësaj fabrike, përkatësisht në fshatin Skivjan. Ndërtimi i kësaj fabrike është zhvillim i kapaciteteve prodhuese të vendit tonë të cilat veçohen për nga cilësia dhe prezantojnë denjësisht prodhimet e Made in Kosova", thuhet në komunikatën e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Më tej thuhet se sukseset e kompanisë Comodita janë zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë së vendit tonë, si dhe hapje e vendeve të reja të punës e mirëqenie për punëtorët vendor. 

"Sot fabrika e dyshekëve Comodita është e listuar si e dyta në botë për prodhimin dhe eksportin e dyshekëve në shumë tregje botërore, pas ndërtimit të kësaj fabrike pa dyshim që  do të jetë kompania e para me kapacitetin më të madh të prodhimit në botë", ka thwnw Klubi i Prodhuesve në një komunikatë për media.

Klubi i Prodhuesve i ka uruar suksese në vazhdimësi të punës kompanisë Comodita duke shpresuar që ky do të jetë vetëm fillimi i investimeve të cilat do e vendosin Kosovën në hartë si një vend i cili ka prodhim të zhvilluar dhe të qëndrueshëm. /Zëri