Murati: Toka e privatizuar për 6 euro ari, ishte vlerësuar rreth 600-fishi i çmimit të blerjes

Murati: Toka e privatizuar për 6 euro ari, ishte vlerësuar rreth 600-fishi i çmimit të blerjes

Ekonomia September 03, 2021 - 13:48

Ministri i Financave, Hekuran Murati, është deklaruar sot se ka stopuar keqpërdorimet e bëra me privatizimin e tokës, i bërë nga AKM-AKP-ja.

Sipas Muratit, tokën që AKM-AKP-ja e kishte privatizuar për 6 euro arin, në tabelat e vlerësimit të dorëzuara më 17 maj në MMPH ishte vlerësuar me 3.700 euro/ari, pra rreth 600-fishi i çmimit të blerjes.

“Por sikur të mos mjaftonte kjo, qeveria ‘Haradinaj’ kishte marrë vendim më 17 dhjetor 2019 që të njëjtën tokë ta shpronësojë për 7.500 euro/ari, pra 1.200-fishi (me fjalë: njëmijë e dyqind fishi i çmimit të privatizimit)”, ka shkruar Murati në rrjetin e tij social Facebook. /Zëri

Postimi i plotë i Muratit:

Toka që AKM/AKP e kishte privatizuar për 6 euro/arin, në tabelat e vlerësimit të dorëzuara me 17 maj në MMPH, ishte vlerësuar me 3,700 euro/ari, pra rreth 600-fishi i çmimit të blerjes. Por sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim me 17 dhjetor 2019, që të njëjtën tokë ta shpronësojë për 7,500 euro/ari, pra 1,200-fishi (me fjalë: njëmijë e dyqind fishi i çmimit të privatizimit). Sipërfaqja e tërësishme e tokës, e cila për t’u privatizuar kishte kushtuar 4,000 (katër mijë) euro, tani do të shpronësohej për 4,866,000 (katër milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) euro. Pra nga 43 milionëshi i tërësishëm, një person i vetëm do të merrte 4.9 milionë euro, nëse keqpërdorimi do të shkonte deri në fund. Fatmirësisht, e stopuam me kohë. Fakte si kjo, ka edhe shumë të tjera. Krejt çka nevojitet është veprimi i prokurorisë dhe organeve të rendit.