Qeveria shpenzoi mbi 505 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit 2021

Qeveria shpenzoi mbi 505 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit 2021

Ekonomia September 03, 2021 - 12:00

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar llogaritë qeveritare të Kosovës në bazë tremujore (TM2 2021), ku paraqitet pasqyra e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.

Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në TM2 2021 ishin 660.0 milionë euro, ndërsa të hyrat në TM2 2020 ishin 587.2 milionë euro.

“Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 59,9% të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas tyre, gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM2 2021 ishin 505.9 milionë euro, ndërsa shpenzimet në TM2 2020 ishin 534.9 milionë euro.

“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve 32,1%; kontributet sociale dhe përfitimet 27,3%; konsumi i ndërmjetëm 15,4%; formimi i kapitalit bruto 11,0%; ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, thuhet në njoftim. /Zëri