ASK: Gjatë 2020-s prodhimet bimore kanë shënuar rritje 8,3%, duke e krahasuar me vitin 2019

ASK: Gjatë 2020-s prodhimet bimore kanë shënuar rritje 8,3%, duke e krahasuar me vitin 2019

Ekonomia September 03, 2021 - 11:50

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare për “Llogaritë ekonomike në bujqësi 1” për vitin 2020.

Ky publikim përfshin të dhëna për prodhimet bimore, prodhimet blegtorale dhe shpenzimet në fermë, në terma monetarë. Kurse vlerat janë prezantuar me çmimet e prodhimit, çmimet aktuale dhe konstante.

Në vitin 2020 prodhimet bimore kanë shënuar rritje për 8,3%, duke e krahasuar me vitin 2019.

Sipas njoftimit për media, rritja në vlerën e prodhimeve bimore mund të shpjegohet kryesisht me rritjen e prodhimit të drithërave, bimëve foragjere, pemëve dhe patateve.

Edhe prodhimet blegtorale po ashtu kanë shënuar rritje për 2,7% në vitin 2020, duke e krahasuar me vitin 2019, ku sipas ASK-së rritja mund të shpjegohet me rritjen e vlerës së produkteve blegtorale.

“Gjithsej prodhimet bimore dhe blegtorale kanë shënuar rritje për 6,0% në vitin 2020, duke e krahasuar me vitin 2019. Ndërkaq, konsumi i ndërmjetëm gjithsej është vlerësuar rreth 316.3 milionë euro në vitin 2020, që paraqet një rritje prej 3,6%, në krahasim me vitin 2019”, thuhet në njoftim. /Zëri