“Golden Eagle” vendos themelet e fabrikës së letrës, do të punësohen persona me nevoja të veçanta
Fondacioni “Golden Eagle” vendosi themelet e fabrikës së letrës, e cila do të punësojë persona me nevoja të veçanta.
Kjo fabrikë do të ndërtohet në magjistralen Prishtinë – Lipjan, raporton Zeri.info.
Në këtë ceremoni zyrtare të organizuar nga ky fondacion morën pjesë edhe Imri Ahmeti kryetari i komunës së Lipjanit, Shaqir Palushi, përfaqësues i fondacionit “Golden Eagle” dhe Afrim Maliqi, nga organizata “Handikos”.
Përfaqësuesi i fondacionit “Golden Eagle”, Shaqir Palushi, tha për media se kjo fabrikë do të kushtojë mbi një milion euro.
“Ky objekt, që po fillon të ndërtohet sot, do të jetë fabrikë e letrës, në të cilën do të punësohen vetë personat me nevoja të veçanta. Kjo fabrikë do të kushtojë mbi një milion euro dhe do të financohet nga kompania ‘Frutex’”, deklaroi Palushi.
Po ashtu drejtuesi i “Handikosit” ka thënë se të gjithë personave me nevoja të veçanta do t’u zgjidhet pozita që u përshtatet në fabrikë.
“Fabrika që po ndërtohet sot jo që do të ndikojë te familjet e këtyre personave, por edhe në vetëdijesim të vendit. Do të shikojmë të gjitha pozitat ose pozicionet që u përshtaten personave në nevojë në këtë fabrikë”, deklaroi Maliqi.
Ndërkaq, kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti u shpreh i kënaqur me fondacionin “Golden Eagle”, për iniciativën e marrë në lidhje me këtë fabrikë. /Zëri
Ky është artikull i sponsorizuar.