Nënshkruhet marrëveshja 40 milionëshe me BEI-n për mbështetje të sektorit privat

Nënshkruhet marrëveshja 40 milionëshe me BEI-n për mbështetje të sektorit privat

Ekonomia June 28, 2021 - 15:43

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kanë nënshkruar marrëveshjen me Bankën Evropiane për Investime (BEI) në vlerë prej 40 milionë euro.

Ky projekt ka për qëllim të lehtësojë qasjen në financa për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM-të), veçanërisht për të tejkaluar efektet negative të pandemisë COVID-19 për të shtyrë zhvillimin e sektorit privat dhe punësimin.

Në njoftim nga Ministria, thuhet se financimi prej 40 milionë euro do t’i ofrohet Fondit Kosovar për Garantim të Kredive (FKGK) në formën e rritjes së kapitalit për të dhënë garanci kreditore për investime dhe kapitalin e punës së NVM-ve, duke u mundësuar atyre qasje në financim më të favorshëm.

Me rastin e nënshkrimit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se është një kënaqësi e veçantë që një nga marrëveshjet e para të financimit që nënshkruhet përfshin mbështetjen ndaj sektorit privat. Më tutje ai theksoi se “si një qeveri që mori detyrën në mes të pandemisë COVID-19, fokusi ynë kryesor mbetet mbështetja e sektorit privat për një rimëkëmbje të qëndrueshme”.

Sipas tij, kjo linjë garancie për Fondin Kosovar për Garantim të Kredive do të jetë thelbësore për të ndihmuar ekonominë drejt rimëkëmbjes, duke lehtësuar qasjen në financa për NVM-të si dhe gjithashtu duke i ndihmuar ato të adoptojnë praktikat dhe standardet më të mira mjedisore dhe sociale. Si Ministri, ne presim një zbatim të suksesshëm të këtij projekti dhe iniciativave të tjera të financuara së bashku me Bankën Evropiane për Investime.

Ndërsa, Zëvendëspresidentja BEI-së Lilyana Pavlov tha se “Duke iu bashkuar iniciativës Team Europe, Banka Evropiane për Investime ka pasur për qëllim të tregojë mbështetjen e vazhdueshme për rajonin në kohë të krizës COVID-19”.

Më tutje, ajo theksoi se pandemia ka ndikuar më së shumti tek kompanitë e vogla të cilat kanë qasje të kufizuar në financim, andaj marrëveshja e nënshkruar sot jo vetëm që do ti ndihmojë Kosovës për tu rikthyer në trajektore të zhvillimit duke ofruar likuiditet në treg, por edhe do të shtyejë zhvillimin e sektorëve kyç. Ajo përfundoi duke theksuar se qëllimi i këtij projekti të përbashkët është të ringjallë dhe mbështesë kapacitetet prodhuese të kompanive dhe tu ndihmojë atyre të mbajnë vendet e punës, duke rritur konkurrueshmërinë dhe pozitën në tregun rajonal e evropian.

Si përfitues i këtij projekti, drejtori menaxhues i Fondit Kosovar për Garantim të Kredive Besnik Berisha tha se kjo marrëveshje vjen në momentin e duhur kur ekonomia e Kosovës po kalon periudhën e rimëkëmbjes dhe masat e tilla të drejtpërdrejta, që synojnë rritjen e investimeve private, pra ringjalljen e aktivitetit ekonomik, janë më së shumti të nevojshme. Ai theksoi se edhe pse me këtë kontratë parashihen 40 milionë euro kapital shtesë për FKGK, për shkak të natyrës së përhershme të FKGK-së dhe efektit shumëzues që kanë skemat e garantimit të kredisë, ndikimi në ekonominë reale, gjatë dy viteve të para, do të jetë 120 milionë euro, ndërsa të njëjtat fonde do të vazhdojnë të përdoren, pra të mbështesin shumë më shumë investime, përtej periudhës së vlefshmërisë. /Zëri