Veriu ia ka borxh Ujësjellësit rreth 15 milionë euro
Foto: Zëri/ilustrim

Veriu ia ka borxh Ujësjellësit rreth 15 milionë euro

Ekonomia June 01, 2021 - 12:28

Komisioni për Ekonomi, Industri e Ndërmarrësi ka shqyrtuar raportin vjetor të Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU).

Edhe pse uji faturohet në veri të Kosovës, zëvendësdrejtori i ARRU-së Xhelal Selmani tha se i njëjti nuk paguhet.

Ai tha se borxhi i akumuluar që nga paslufta është rreth 15 milionë euro nga kjo pjesë e Kosovës, derisa tha se ARRU-ja është në gjendje të vështirë financiare. Ai tha se në pjesën veriore ujin e marrin nga KRU “Mitrovica”, pastaj e distribuon një kompani tjetër.

“Sa i përket pjesës veriore, problemi është i madh, uji faturohet por nuk paguhet. Në pjesën veriore ne nuk kemi qasje aty. Çmimi i ujit që dorëzohet në pjesën veriore është 17 cent, pra uji me shumicë, dhe nuk faturohet, dhe është akumuluar një borxh prej rreth 15 milionë euro dhe kompania është në gjendje shumë të vështirë”, u shpreh ai para anëtarëve të komisionit, raporton Zeri.info.

Gjatë raportimit ne Komision, ai tha e objektet e kultit nuk paguajnë ujë, derisa shtoi se i kanë bërë shkresë Kuvendit, por që deri më tash nuk kanë marr përgjigje.

Tutje, ai tha se kanë mbikëqyrur për së afërmi KRU “Hidroregjioni Jugor” në lidhje me furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm për popullatën në Komunën e Mamushës pasi atje, sipas tij, ka pasur vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm.

Selmani tha se qasje në ujë të pijshëm, nga 1.8 milion banorë, kanë rreth 1.4 milion banorë.

“Me ligjin mbi ujërat, faturimi pa matje është i ndaluar. Performanca e KRU-ve ka qenë e mirë duke përfshirë furnizimin e rregullt, cilësinë e ujit dhe aspektet tjera të performancës financiare. Popullata e përgjithshme në bazë të shërbimit për çka janë të licencuar ofruesit e shërbimeve, vlerësohet se janë 1.8 milion banorë, prej të cilëve qasje në shërbime të ujit kanë rreth 1.4 milion banorë apo 78%”, deklaroi Selmani.

“Uji i pa faturuar vazhdon të mbetet sfidë serioze për KRU-të. Gjatë vitit 2020, uji i pa faturuar është 55% dhe është i papranueshëm”, u shpreh mes të tjerash zëvendësdrejtori i ARRU-së, Xhelal Selmani. /Zëri