Fabrika e Feronikelit dënohet me 20 mijë euro gjobë për ndotje të mjedisit dhe ujërave nëntokësore

Fabrika e Feronikelit dënohet me 20 mijë euro gjobë për ndotje të mjedisit dhe ujërave nëntokësore

Ekonomia March 26, 2021 - 12:41

Drenas. Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Drenas, në procedurë kundërvajtëse ka dënuar me gjobë në shumë prej 20 mijë eurove në cilësinë e subjektin juridik “NewCo Feronikeli Complex”, me seli në Qikatovë të Vjetër, komuna Drenas.

Po ashtu ka dënuar me 2 mijë euro gjobë, në cilësinë e personit përgjegjës të subjektit juridik, Iftach Ben Sllomo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjobën e shqiptuar të pandehurit janë të detyruar të paguajnë në afatin prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në të kundërtën do të zbatohet përmbarimi i detyrueshëm.

Këto dënime gjykata i ka shqiptuar për vepër kundërvajtëse të kryer nga neni 38 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, neni 33 të Ligjit për Mbeturina dhe obligimet nga U.A, 08/2017, për Menaxhimin e Deponive, në bazë të neneve 55, 86,119 dhe 124 të Ligjit për Kundërvajtje.

Në aktgjykimin e nxjerrë nga gjykatësi Vesel Gorani, me 19 mars 2021, thuhet se e pandehura “NewCo Feronikel Complex” L.L, Drenas, dhe i pandehuri Iftach Ben Sllomo, nga Izraeli, janë përgjegjës, sepse me 19 shtator 2019, ekipi nga Inspektorati i Mjedisit dhe i Natyrës nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Ismet Dervari dhe Vehbi Spahiu kanë ushtruar kontroll dhe mbikëqyrje inspektive, lidhur me aktivitetin e operatorit personit juridik “NewCo Feronikeli Complex”, në Qikatovë të Vjetër në Drenas, dhe operim në Deponin Skorje në Qikatovë.

Tutje thuhet se me rastit e kontrollit është konstatuar se operatori “Feronikeli” nga dokumentacioni posedon numër të regjistrimit të biznesit me aktivitete të ndryshme, Pëlqimin Mjedisor, nën kushtet e caktuara në vendimin me nr. 17/2347/1-380/DMM, 3 tetor 2017 për Deponin e Skorjes në Qikatovë – zona e “Dushkaja nr.1”, në Qikatovë e Vjetër, po ashtu, posedon dhe Lejen Mjedisore të integruar nr.2A, 5393-2/17, 20 shkurt 2018, për “Deponimin e Skorjes”, në hapësirat e minierës në Qikatovë të Vjetër, nen kushtet e caktuara.

Me rastin e kontrollës të lokacionit dhe objektit të Deponisë së Skorjes në Qikatovë është konstatuar se operatori i lartë cekur nuk është duke i përmbushur kushtet mjedisore nga dokumentacioni i lartë cekur, gjegjësisht nuk ka vendosur në tërësi shtresën e foljes nga PVC-ja dhe Gjeomembranen , mbi të cilën depozitohen mbeturinat e Skorjes dhe nga kjo mos përmbushje e obligimeve si pasoj e saj janë ndikimet në ndotjen e mjedisit dhe ujërave nëntokësore. /BetimipërDrejtësi