Teknologjia e turizmi në Kosovë, në shënjestër të investitorëve izraelitë
Vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, përveç rëndësisë politike, hap perspektivë për bashkëpunim në rrafshin ekonomik, të tregtisë dhe inovacionit, thotë Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane.
Investimet nga Izraeli në Kosovë, shkëmbimet mes këtyre dy shteteve, sipas të dhënave zyrtare, nuk kanë qenë në nivel të lartë, krahasuar me shtetet tjera.
Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vitin e kaluar nga shteti i Izraelit janë importuar produkte në vlerë prej rreth 22 milionë euro, kryesisht derivate të naftës dhe produkte të plastikës, kurse eksporti i produkteve të Kosovës në këtë shtet ishte minimal, në vlerë prej rreth 85 mijë euro.
Rreth 1.6 milion euro investime nga Izraeli
Kurse gjatë viteve të fundit, në Kosovë investimet e huaja nga Izraeli, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, kanë qenë rreth 1.6 milion euro. Nga kjo shumë, rreth një milion euro u investuan në sektorin e patundshmërive, kurse pjesa tjetër është investuar në sektorin e tregtisë. Ndërkaq, në vitin 2020, vlera e remitencave nga Izraeli ishte rreth 170 mijë euro, thuhet në një përgjigje nga BQK-ja dhënë për Radion Evropa e Lirë.
Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike më 1 shkurt në një ceremoni virtuale, në të cilën ish-ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin, ku thuhej se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.
Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, në Prishtinë është hapur Korporata për Zhvillim dhe Investime Kosovë - Izrael, (KIDIC) qëllimi i së cilës, thuhet të jetë zhvillimi dhe rritja lidhjeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Në faqen zyrtare të kësaj korporate, thuhet se “KIDIC ofron një portë ideale për zhvillimin e biznesit, mundësi dhe bashkëpunim ndërmjet organizatave në Kosovë dhe Izrael”.
Kurse sektorët në faqen zyrtare të kësaj korporate që përmenden janë: sektori i teknologjisë, mbrojtja dhe siguria, përgjigjja ndaj katastrofave dhe emergjencave, agrikultura, kërkimet mjekësore dhe eksport-importi.
Përfaqësues të kësaj korporate nuk kanë pranuar të flasin në këtë moment për Radion Evropa e Lirë.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.