FMN-ja vlerëson masat e ndërmarra nga BQK-ja për tejkalimin e krizës nga pandemia

FMN-ja vlerëson masat e ndërmarra nga BQK-ja për tejkalimin e krizës nga pandemia

Ekonomia February 19, 2021 - 14:18

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka njohur angazhimin dhe qeverisjen efektive të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar.

Sipas vlerësimeve të FMN-së, sektori bankar ka arritur të përballojë mirë situatën e krijuar si rezultat i masave të ndërmarra për përballimin e pandemisë.

“Bankat e kanë përballuar mirë recesionin deri më tani, duke u mbështetur në nivelet e larta të likuiditetit dhe të kapitalit të para pandemisë COVID-19, të cilat kanë kontribuuar në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.

FMN-ja gjithashtu ka njohur edhe masat e ndërmarra nga ana e BQK-së për ristrukturimin e kredive, ndërsa në dhjetor të vitit 2020 të gjitha bankave iu kërkua të zbatojnë kërkesat rregullatore që kanë qenë në fuqi para pandemisë COVID-19. Të dhënat paraprake sinjalizojnë një portofol të shëndetshëm të kredive, me mundësi për një rritje të lehtë të kredive joperformuese në muajt në vijim”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Në fund të vitit 2020, sipas BQK-së, asetet e sektorit bankar shënuan rritje prej më shumë se 12 për qind. Ndërsa niveli i kredive joperformuese ishte 2,63 për qind, raporti i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione ishte 143,27 për qind, përderisa raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 16.7 për qind, thuhet në raport.

Po ashtu në komunikatë theksohet se reformat e zbatuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në vitet e kaluara, të cilat u fokusuan në forcimin e sigurisë financiare dhe kornizës mbikëqyrëse bankare, ndihmuan në zbutjen e presioneve nga pandemia.

Shumë nga reformat e zbatuara janë dizajnuar me mbështetjen e FMN-së dhe BQK-ja mbetet e përkushtuar të vazhdojë forcimin e kapaciteteve dhe sistemeve të saj, duke përfshirë edhe zbatimin e rekomandimeve që kanë dalë nga raporti i Rishikimit të Stabilitetit të Sistemit Financiar.

BQK-ja njofton se drejtorët ekzekutivë të FMN-së rekomanduan autoritetet që të monitorojnë nga afër cilësinë e aseteve bankare, të sigurojnë transparencë në pasqyrimin e humbjeve pasi të hiqet toleranca rregullatore dhe të forcojnë më tej kornizën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. /Zëri