MEA-ja do të investojë në projekte infrastrukturore në komunën e Junikut

MEA-ja do të investojë në projekte infrastrukturore në komunën e Junikut

Ekonomia February 19, 2021 - 12:34

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Muharrem Nitaj, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Junikut Agron Kuqin, me të cilin kanë diskutuar për punët që po bëhen në këtë komunë, si dhe kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi.

Ministri Nitaj përgëzoi kryetarin Kuqi për punën që po bën në përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunës së Junikut dhe ofroi mbështetjen e tij dhe të ministrisë që ai drejton në realizimin e projekteve që janë në funksion të mirëqenies së qytetarëve të kësaj komune.

“Sot nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi për bashkëfinancimin e projektit për rregullimin e shtratit të lumit Erenik, si dhe marrëveshje për bashkëfinancim në rregullimin e ujësjellësit në lagjen ‘Agim Ramadani’ në Junik”, tha Nitaj.

Ndërsa nga ana e tij kryetari Kuqi falënderoi ministrin e MEA-së, Nitaj, për përkrahjen që po i ofron në zhvillimin dhe avancimin e projekteve që kanë ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve të kësaj komune.

Ndryshe, këto dy projekte do të realizohen në bashkëfinancim nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Komuna e Junikut, ku MEA-ja do të financojë në vlerë prej 180.000.00 eurove. /Zëri