Qeveria shpërndan para për mësimdhënësit, zjarrfikësit, policët e mjekët

Qeveria shpërndan para për mësimdhënësit, zjarrfikësit, policët e mjekët

Ekonomia February 18, 2021 - 10:46

Qeveria në detyrë e Kosovës sot ka marrë vendim që të ndajë mijëra euro për shtesat në pagesa për kategoritë e rrezikuara nga pandemia COVID-19.

Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, në mbledhjen e mbajtur sot ia ka paraqitur kërkesën kabinetit qeveritar për ndarjen e mjeteve shtesë për kategoritë e rrezikuara nga pandemia COVID-19.

Nga ky vendim, i cili është miratuar me shumicë votash, do të përfitojnë mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, punëtorët e qendrave sociale dhe sektori i shëndetësisë, i cili përveç mjekëve përfshin edhe punëtorët teknikë, raporton “Zeri.info”.

Më poshtë gjeni vendimin e plotë për secilën kategori

1. Ndahen 3 milionë euro te Ministria e Arsimit, mjete për shtesën e parë që do të paguhet në muajin shkurt, kjo përfshin të gjithë personelin që është i angazhuar në arsimin primar dhe sekondar.

2. Ndahen mjete në shumën prej 700 mijë eurosh për 350 zyrtarët policorë që nuk kanë qenë të trajtuar me vendimin paraprak

3. Për zjarrfikësit ndahen mjete në vlerë 180 mijë euro, për pagesën shtesë nga 100 euro për secilin për muajt shkurt dhe mars.

4. Për sektorin social ndahen 78 mijë euro për pagesat e shtesave në pagë për punëtorët socialë në qendrat për punë sociale për muajin shkurt dhe mars.

5. Sektorit shëndetësor i ndahen 100 mijë euro për pagën shtesë për profesionistët shëndetësorë, të cilët kryejnë shërbime shëndetësore në sektorin publik, bëhet fjalë për stafin që paguhet nga “Caritas”-i. Po ashtu ndahen 160 mijë euro për pagesat e shtesave për punëtorët teknikë të sektorit privat, bëhet fjalë për shërbimet e pastrimit dhe të sigurimit, që punojnë në institucionet publike. /Zëri