Minstrja Bajrami sqaron përfshirjen e “Gurdia di Finanza” në hetimin për vjedhjen e mbi 2 milionëve
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka sqaruar edhe një herë përfshirjen e “Gurdia di Finanza”nga Italia në hetimin për skandalin e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit.
Bajrami ka treguar se në fillim të tetorit ka pasur një takim me ambasadorin italian, Nicola Orlando, ku është biseduar për një projekt të mundshëm në mes “Gurdia di Finanza”, ATK-së, Doganës dhe NJIF, e sipas saj, projekt ky që do të financohej nga BE-ja, transmeton Zeri.info.
Ministrja ka shtuar se qëllimi i këtij bashkëpunimi është luftimin e evazionit, informalitetit, kontrabandës, pastrimit të parave dhe aktiviteteve tjera të kundërligjshme që dëmtojnë financat publike, ndërsa është zotuar se do luftojë kundër “hajnave” me të gjitha kapacitet vendore e ndërkombëtare.
Shkrimi i plotë i ministres Bajrami në Facebook:
Më 6 tetor 2020, Gurdia di Finanza bashkë me Ambasadorin italian z. Nicola Orlando kanë vizituar Ministrinë e Financave. Kemi zhvilluar takim pune ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ATK-së, Doganave dhe të Njësisë së Inteligjencës Financiare. Në këtë takim kemi biseduar për një projekt të mundshëm në mes Gurdia di Finanza, ATK-së, Doganës dhe NJIF, projekt ky që do të financohej nga BE.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është luftimin e evazionit, informalitetit, kontrabandës, pastrimit të parave dhe aktiviteteve tjera të kundërligjshme që dëmtojnë financat publike.
Në atë takim jemi pajtuar që institucionet tona të identifikojnë fushat ku dëshirojnë bashkëpunim, gjë të cilën e kanë bërë me kohë.
Pas vjedhjes në Thesar, në cilësinë e Ministres së Financave i kam dërguar letër ambasadorit Italian, që në fusha të bashkëpunimit të përfshihet edhe Thesari, me theks auditimi në Thesar, por edhe ngritja e nivelit të sigurisë dhe integritetit të sistemit.
Njëherit kam kërkuar nga ambasadori i BE-së z.Tomas Szunyog edhe mbushjen financiarë nga BE që Gurdia di Finaza të auditojë Thesarin.
E kam thënë edhe një herë e përsëris edhe sot se lufta kundër hajnave do të vazhdojë me krejt kapacitetet e mundshme VENDORE E NDËRKOMBËTARE pavarësisht lidhjeve të atyre që kryejnë krime, do të ndiqen deri në fund.
Hykmete N. Bajrami