Milionat e Qeverisë, të pamjaftueshme për t’i ruajtur vendet e punës

Milionat e Qeverisë, të pamjaftueshme për t’i ruajtur vendet e punës

Ekonomia October 13, 2020 - 15:28

Nga Oda e Afarizmit në Kosovë thonë se bizneset nuk mund të garantojnë se do të mbajnë në punë të gjithë punëtorët edhe pas ndarjes së 60-milionëshit nga Qeveria e Kosovës, thotë Skender Krasniqi, drejtor i kësaj organizate.

Bizneset, të cilat kanë pasur humbje si pasojë e pandemisë me COVID-19, do të ndihmohen nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës, në bazë të listës së numrit të punëtorëve të regjistruar që kanë kompanitë. Për këto biznese, nga ky Fond, i cili kap vlerën e mbi 350 milionë eurove, pritet të ndahen 60 milionë euro.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në një deklaratë dërguar mediave më 9 tetor, ka deklaruar se transferet e planifikuara prej 60 milionë euro duhet të sigurojnë që do të mbrojnë vendet e punës në kompanitë që do të mbesin aktive pas përfundimit të pandemisë.

Sipas FMN-së, transferet në kompanitë private duhet të jenë të targetuara, transparente dhe lista e përfituesve duhet të bëhet publike, në përputhje me legjislacionin.

Megjithatë, Krasniqi thotë se shuma prej 60 milionë euro e cila do të ndahet përafërsisht për rreth 90 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë, është e vogël, nuk ndihmon një biznes që të zhvillojë afarizëm për të mbajtur të gjithë punëtorët në punë.

“Është vlera e vogël, mund të jetë maksimalisht përkrahje për një muaj dhe nuk garanton mbajtjen e punëtorëve në punë deri në fund të vitit. Tani, bizneset vetëm kanë filluar të largojnë nga puna punëtorët dhe disa biznese kanë filluar edhe të falimentojnë si pasojë e pengesave dhe mospërkrahjes nga shteti në këtë drejtim”, thotë Krasniqi.

Ndryshe, për periudhën mars –gusht të këtij viti, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, mbi një miliard euro ka pasur më pak qarkullim sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Lajmin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë