Ahmeti prezanton projektin e parkingut nëntokësor, thotë se do të përfundojë për 18 muaj

Ahmeti prezanton projektin e parkingut nëntokësor, thotë se do të përfundojë për 18 muaj

Ekonomia October 13, 2020 - 12:39

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka prezantuar projektin e parkingut nëntokësor.

Ahmeti u arsyetua se vonesat e projektit të këtij parkingu nëntokësor janë shtyrë deri tani për shkak të drurëve që gjenden në këtë hapësirë.

“Një pjesë të vonesës dorën në zemër e kam shkaktuar unë, për shkak të kërkesës ndaj kompanisë që çdo dru të ruhet. Edhe ato ekzistueset jemi duke u munduar t’i kursejmë, ka drunj të mëdhenj, por do të mundohemi t’i zhvendosim. Nuk mund të premtoj që çdo dru do ta ketë fatin e shpëtimit, por do të mundohemi sa më shumë t’i shpëtojmë të gjitha”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti theksoi se hapësira do të zgjerohet që t’u japë qasje veturave në këtë parking nëntokësor.

“Pasi do të mbyllet sheshi nga bulevardi ‘George Bush’ deri te Katedralja, ku do të ketë vetëm një korsi për autobusë dhe biçikleta, do ta zgjerojmë hapësirën e parkingut dhe pjesën e gjelbërimit te Fakulteti Filologjik. Do të krijojmë një hapësirë ku mund të hyjnë makinat në parkingje, sepse 30 për qind e trafikut krijohet nga makinat që janë duke kërkuar vende të parkingut”, tha Ahmeti, raporton “Zeri.info”.

Ai ka bërë të ditur se ky projekt do të përfundojë për 18 muaj, raporton “Zeri.info”.

“Leja është marrë, kanë përfunduar të gjitha procedurat, i pyeta për sa e përfundoni, me kontratë e kanë për 18 muaj, por mendoj se nëse jemi më aktivë, do ta përfundojmë më shpejt, nëse nuk na shfaqen probleme tjera. Në fund të vitit të ardhshëm do të bëhet hapja, as zgjedhjeve e bëjmë hapjen e parkingut, të mos mendojnë se po bëhemi gati për ndonjë fushatë”, ka deklaruar i pari i Prishtinës.

Ai theksoi se pjesa do të rrethohet me mburoja, nuk do të ketë hapësirë për kalim dhe do të punohet me pjesën anash, ku do të vendoset betoni duke gropuar. /Zëri