Reagon Sindikata e RTK-së për mospagesën e trustit të të punësuarve

Reagon Sindikata e RTK-së për mospagesën e trustit të të punësuarve

Ekonomia October 13, 2020 - 11:42

Kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së (SPRTK) është mbledhur sot në një takim urgjent për të diskutuar mospagesën për më shumë se pesë muaj të kontributeve pensionale nga Menaxhmenti i RTK-së.

SPRTK-ja ka bërë të ditur se për këtë mospagesë janë informuar dje, gjatë një vizite në Trustin Pensional, transmeton “Zeri.info”.

“Në këtë takim përfaqësuesit sindikalë e kanë kuptuar se kontributet pensionale për të punësuarit e RTK-së janë kryer vetëm deri në muajin prill. Një veprim i tillë është skandaloz për faktin se këto para të punësuarve u janë marrë nga pagat edhe pas muajit prill”, njofton SPRTK-ja.

Ata kërkojnë nga Bordi dhe Menaxhmenti që urgjentisht t’u tregojnë punëtorëve se çka ka ndodhë me paratë e tyre për Trustin Pensional.

“Ku janë paratë të cilat i keni marrë për tash e pesë muaj nga pagat tona për Trust Pensional? Paratë e Trustit Pensional investohen kryesisht në tregje ndërkombëtare dhe gjenerojnë norma të larta te kthimit të interesit. Me mosdërgimin e tyre në Trust të punësuarve u është pamundësuar të përfitojnë nga kjo normë e interesit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas një kalkulimi të Sindikatës, borxhi që RTK-ja ua ka rreth një mijë (1000) të punësuarve të saj për kontribute pensionale është rreth 400 mijë euro. Sikur kjo sasi e parave të dërgohej me kohë në Trust, duke u bazuar në normën e kthimit të interesit të viteve të kaluara, përfitimi do të ishte me mijëra euro.

Sindikata fton Prokurorinë të hetojë se çka ka ndodhur me paratë e një mijë (1000) të punësuarve të RTK-së, të cilat në emër të Trustit u janë marrë për pesë muaj (5) nga pagat. /Zëri