Ish-guvernatori i BQK-së Hashim Rexhepi kërkon mbi 1 milion e gjysmë euro dëmshpërblim nga shteti i Kosovës
Me pretendimin se pa të drejtë ishte mbajtur në paraburgim si dhe për masat tjera për sigurimin e pranisë së tij, ish-guvernatori i Bankës Qëndrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, e ka paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), nga i cili institucion kërkon kompensimin e dëmit material dhe jo material.
Një shumë të tillë, ai e kërkon për shkak të pretendimeve se prej 23 korrik 2010 deri më 23 nëntor 2010 ishte mbajtur në paraburgim, ku pas kësaj i ishin shqiptuar edhe masat tjera si ajo e dorzanisë si dhe paraqitja në Stacionin e Policisë gjerë më 16 shkurt të vitit 2011, ku sipas padisë edhe ishte liruar nga aktakuza me aktvendim nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë.
Lidhur me këtë rast, të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, palët ndëgjyqëse kanë dhënë fjalën e tyre përfundimtare.
Përfaqësuesi i paditësit avokati Adnan Pacolli, tha se mbetet në tërsi pranë padisë dhe kërkesëpadisë së precizuar më 6 tetor 2020, për të cilën tha se e ka bazuar në plotësim ekspertizën financiare.
Me anë të kësaj parashtrese paditësi ka kërkuar nga gjykata që të detyrohet e paditura Republika e Kosovës përkatësisht KGJK-ja, që atij t’ia kompensojë dëmin material dhe jomaterial në shumën e përgjithshme prej 1,630.000.00 euro, me kamat ligjore prej 8% nga data 27 mars 2012, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 3,382.50 euro.
Ndërsa fjalën përfundimtare përfaqësuesi i paditësit avokati Pacolli e ka dorëzuar në formë të shkruar duke shtuar se në bazë të administrimit të provave vërtetohet baza juridike dhe lartësia e kërkesëpadisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
E në anën tjetër përfaqësuesi i KGJK-së Besim Mustafa, tha se edhe më tej e paditura nuk e kundërshton bazën e kompensimit të dëmit material dhe jo material për periudhën sa paditësi ka qenë i privuar nga liria, ku siç tha ai për 117 ditë të qëndrimit të tij në paraburgim.
Mirëpo ai e ka kundërshtuar lartësinë e kërkesëpadisë me arsyetimin se një shumë e tillë është tejet e lartë duke marrë parasysh rrethanat e ekonomisë së Kosovës.
Ndërsa sa i përket plotësimit të ekspertizës financiare ai tha se të njëjtën e kishin pranuar me kohë dhe i ka propozuar gjykatës që me rastin e vendosjes të marrë për bazë vetëm pjesën për periudhën sa paditësi kishte qenë i privuar nga liria.
“I propozojmë gjykatës që me rastin e vendosjes t’ia fal besimin plotësimit të ekspertizës financiare vetëm për periudhë sa ka qenë i privuar nga liria paditësi, ku kemi të bëjmë me dëmin jomaterial, pjesën tjetër të kërkesëpadisë sa i përket dëmit material të refuzohet si e pa bazuar për shkak se i mungon baza juridike në raport me KGJK-në” tha përfaqësuesi i të paditurës.
E sa i përket dëmit jomaterial ai i ka propozuar gjykatës që me rastin e vendosjes t’ia falë besimin ekspertizës nga lëmia e psikiatrisë të punuar nga Dr. Nazmije Musliu më 21 shtator 2019, duke shtuar se sipas shkresave të lëndës paditësi nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmë mjekësore.
Gjithashtu ai e ka kundërshtua në tërësi bazën e kërkesëpadisë si dhe legjitimitetin real pasivë të palës në procedurë sa i përket kallëzimit penal, aktakuzës së ngritur ndaj paditësit nga prokuroria si dhe publikimet në gazetat vendore dhe ndërkombëtare ku siç tha ai gjykata nuk ka qenë e involvuar.
Ndërsa sa i përket shpenzimeve të procedurës kontestimore përfaqësuesi i të paditurës Mustafa i ka propozuar gjykatës që të njëjtat të njihen konform suksesit të kontestit.
Pas administrimit të provave dhe fjalës përfundimtare gjykatësi Alajdin Tërshnjaku, njoftoi se procedura civile juridike në këtë çështje ka përfunduar dhe se palët me kohë do të njoftohen me vendimin.
Sipas padisë së ushtruar më 27 mars 2012, paditësi Hashim Rexhepi, po kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kompensimin e dëmit material dhe jo material, për qëndrimin e tij në paraburgim për katër muaj si dhe masat tjera si ajo e dorzanisë dhe paraqitjes në Stacionin Policorë gjer më 16 shkurt 2011.
Në padi thuhet se ai gjatë asaj kohe ishte emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Qëndrore të Kosovës, ku i njëjti këtë detyrë e kishte ushtruar gjer më 23 korrik të vitit 2010, dhe të njëjtit i ishte ndërprerë kjo detyrë pasi që kundër tij ishte caktuar masa e paraburgimit nga kjo datë.
Siç thuhet në padi paraburgimi ndaj paditësit ishte caktuar me arsyetimin se kundër tij është zhvilluar procedurë penale sipas aktakuzës së ngritur nga Prokurori Special i Republikës së Kosovës, për disa vepra të shënuara në këtë aktakuzë.
Gjithnjë sipas padisë, paditësi Rexhepi, në paraburgim ka qëndruar nga 23 korrik deri më 23 nëntor të vitit 2010, pas masës së paraburgimit ndaj paditësit janë shqiptuar edhe masat tjera të sigurisë siç janë dorzania dhe masa e paraqitjes në Stacionin Policor dhe atë deri më 16 shkurt 2011.
Në padi thuhet se paditësi në bazë të vendimit të ish-Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të nxjerr më 11 janar 2011, është liruar nga aktakuza dhe nga kjo del përfundimi se ndaj paditësit është zhvilluar procedurë pa bazë ligjore, gjë që përfaqëson bazë ligjore për dëmshpërblim.
Bazuar në padi zhvillimi i procedurës kundër paditësit qëndrimi në paraburgim dhënia e dorëzanisë si dhe masa e paraqitjes në Stacionin Policor, kanë bërë që paditësi të pësoj dëm të konsiderueshëm material dhe moral, ku nga ky dëm atij iu kishte mbyllur karriera si dhe konsiston në humbjen e pagës për punën që ai e bënte ashtu edhe në fitimin e humbur sidomos në pamundësinë që për shkak të këtyre masave është pamundësuar që ai të realizoi të ardhura.
Po ashtu në padi thuhet se KGJK, paditësit i ka bërë ofertë për ujdi jashtëgjyqësore për kompensimin e dëmit material dhe jo material në shumën e përgjithshme prej 15,903.03 euro, ku kjo ofertë ishte konsideruar tejet e ulët nga paditësi dhe marrëveshja nuk ishte arritur.
Me anë të kësaj padie ai po kërkon nga gjykata që të detyrohet KGJK-ja, që atij t’ia kompensoj dëmin material dhe jo material të shkaktuar për shkak të mbajtjes së tij në paraburgim si dhe masave tjera për sigurimin e pranisë së tij./lajminet