Infektuar: 10988
Shëruar: 6616
Vdekur: 373
Ministri Krasniqi bën me dije se do t’i adresojë të gjitha ankesat e bizneseve lidhur me COVID-19

Ministri Krasniqi bën me dije se do t’i adresojë të gjitha ankesat e bizneseve lidhur me COVID-19

Ekonomia July 30, 2020 - 12:15

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqin, i shoqëruar nga përfaqësues të bizneseve të gastronomisë.

Në takim u diskutua rreth masave të reja, të marra nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 në kuadër të të cilave preket edhe gastronomia.

Ministri Krasniqi e falënderoi kryetarin e OEK-ut Berat Rukiqin, që po u del në ndihmë institucioneve duke përfaqësuar zërin e bizneseve.

Ai theksoi se bashkëpunimi i dyanshëm ka rëndësi të madhe në situatën aktuale në të cilën gjendemi.

Ministri i njoftoi të pranishmit se ka krijuar një trupë të brendshme në ministri për t'i trajtuar ankesat e bizneseve, që do të ndihmojë në sqarimin e paqartësive të bizneseve lidhur me masat e reja dhe njëkohësisht këto ankesa do të adresohen edhe në Zyrën e Kryeministrit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se është e rëndësishme të sqarohen edhe një herë masat e reja për lokalet e gastronomisë lidhur me shërbimin “Delivery” dhe “Take away”, si dhe çështjen e lejimit të punës për pishinat e hapura.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e bizneseve të gastronomisë kërkuan ndëshkimin e lokaleve, të cilat nuk i respektojnë masat kundër pandemisë COVID-19, si dhe shprehën interesimin lidhur me atë se në çfarë mase do të subvencionohen këto biznese në kuadër të Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Gjatë takimit ministri Krasniqi i informoi këta edhe për projektin, që do të zbatohet së shpejti, për punësim të të rinjve, të cilët do të paguhen nga Qeveria e Kosovës.