Infektuar: 14939
Shëruar: 12325
Vdekur: 611
Ejupi: Humbjet nga mungesa e fluturimeve, rreth 2 milionë euro - Qeveria s'na ka ftuar në asnjë takim

Ejupi: Humbjet nga mungesa e fluturimeve, rreth 2 milionë euro - Qeveria s'na ka ftuar në asnjë takim

Ekonomia June 18, 2020 - 22:35

Pronari i aviokompanisë Eurokoha dhe Kosova Airlines, Remzi Ejupi, ka folur për humbjen e kompanive ajrore gjatë pandemisë.

Përmes një interviste në RTK, Ejupi deklaroi se kjo pandemi, kompanisë së tij i ka shkaktuar humbje prej 2 milionë eurosh. Ai u shpreh se që nga data 13 mars, kompania e tij ajrore është kujdesur që të rikthejë të gjithë bashkatdhetarët, ku thotë se të përfshirë kanë qenë rreth 10 mijë persona të cilëve i është bërë kthimi me tarifën zero.

“Humbja është marramendëse në botë dhe në Evropë, natyrisht që jo vetëm neve na ka prekur kështu pasi që nga data 13 mars jemi kujdesur që të organizojmë mbi 30 fluturime për t'i kthyer të gjithë bashkatdhetarët në vendet e tyre dhe ka qenë një humbje e madhe për arsye se të gjitha fluturimet kanë ardhur të zbrazura për t'i kthyer ata në vendet e punës dhe natyrisht që humbja ka qenë pothuajse 2 milionë euro për t'i kthyer ata mbi 10.000 persona si në Amerikë ashtu edhe në Gjermani dhe Zvicër. Kemi qenë të vetmit dhe e vetmja kompani që është dashur t'i kthejë me tarifën zero të gjithë ata që kanë pasur biletën kthyese”, deklaroi Ejupi, përcjell Zeri.info.

 

Tutje ai potencoi qeveria nuk ka dhënë përgjigje për ndihmën e rimëkëmbjes ekonomike për kompanitë ajrore.

“Më habit se si ne i kemi shkruar qeverisë së kaluar dhe kësaj qeverie për humbjet që kemi pësuar, të paktën nuk na kanë ftuar për një takim që të diskutojmë në lidhje me këtë. Duke pasur parasysh qe transporti ajror për Kosovën është një sektor jashtëzakonisht i vlefshëm dhe i rëndësishëm duke pasur parasysh se gjysma e Kosovës mund të them se është jashtë Kosovës, ata të cilët janë jashtë sidomos në sezonin veror do të jetë një katastrofë nëse nuk mund t'i kthejmë në vend. Nuk është marrë parasysh që të ndihmohen kompanitë ajrore”, potencoi pronari i kompanisë ajrore Eurokoha dhe Kosova Airlines. /Zëri