Infektuar: 14939
Shëruar: 12325
Vdekur: 611
OEAK: Reforma e drejtësisë komerciale, parakusht për tërheqjen e investimeve të huaja

OEAK: Reforma e drejtësisë komerciale, parakusht për tërheqjen e investimeve të huaja

Ekonomia June 18, 2020 - 12:16

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum virtual me ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, ku u diskutua plani i Qeverisë për reforma në proceset ligjore dhe sundim të ligjit në vend, me fokus në drejtësi komerciale, transmeton “Zeri.info”.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane, tha se shpreson që nën udhëheqjen e ministrit të ri të Drejtësisë do të përfundojë krijimi i Gjykatës Komerciale, por edhe përmbyllja e procesit të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit. Ai po ashtu tha se Ministria do të duhej të konsideronte edhe hartimin e Kodit Komercial, meqë vendi tashmë ka Kodin Penal dhe është në proces të finalizimit të kodit civil, hap ky që do të përmbyllte arkitekturën ligjore të Kosovës.

Chris Thompson, drejtor i Programit të USAID-it për Drejtësi Komerciale, theksoi se programi të cilin ai e drejton ka për qëllim reduktimin e korrupsionit në Kosovë përmes përmirësimit të zgjidhjes së kontesteve komerciale brenda dhe jashtë gjykatave, duke shtuar edhe nevojën e ngritjes së vetëdijes publike ndaj rëndësisë që ka drejtësia komerciale mbi rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai shtoi se USAID-i po punon ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë dhe sistemin gjyqësor të Kosovës për zhvillimin e legjislacionit për Gjykatën Komerciale, e cila do të jetë e dedikuar ndaj ofrimit të shërbimeve juridike për bizneset kosovare.

Ministri Selimi ndërkaq theksoi rëndësinë që ka themelimi i Gjykatës Komerciale, duke potencuar se funksionalizimi i së njëjtës mbetet një nga prioritetet kryesore të mandatit të tij. Gjykata Komerciale, tha ai, do të rrisë efikasitetin e trajtimit të lëndëve të biznesit dhe do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset vendore, por edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj, për të cilët ai ka kërkuar që të krijohet një mekanizëm i veçantë që do të trajtonte vetëm investimet e huaja.

Ministri i Drejtësisë përmendi se tani ndodhet në fazat e fundit të përgatitjes së kodit civil, i cili tha se së shpejti do të paraqitet para Qeverisë së Kosovës. Ai tha se, megjithëse nuk mund të mohohet ekzistenca e korrupsionit brenda gjykatave, sistemi gjyqësor i Kosovës përbëhet nga prokurorë dhe gjyqtarë të përkushtuar ndaj drejtësisë. Selimi tha se prioritet tjetër ka edhe ngritjen e llogaridhënies, ku përmendi vetingun si mekanizëm jopolitik dhe të pavarur ligjor.

Erblina Krasniqi Prishtina, avokate dhe përfaqësuese ligjore në kompaninë “Tregtia”, theksoi se brenda gjykatave ekzistuese në vend, duke përfshirë këtu edhe atë ekonomike, shqyrtimi i lëndëve mund të zgjasë me vite të tëra, duke rezultuar në dëmtim serioz të bizneseve, e për këtë krijimi i Gjykatës Komerciale, e përbërë nga gjyqtarë të lëmit ekonomik, është krucial për bizneset dhe tërheqjen e investimeve.

Financimi për këtë forum virtual u mbështet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe programi i BE-së për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Lehtësim të Investimeve.