Me gjithë hapjen e çerdheve, prindërit po hezitojnë t’i dërgojnë fëmijët në to

Me gjithë hapjen e çerdheve, prindërit po hezitojnë t’i dërgojnë fëmijët në to

Ekonomia June 02, 2020 - 15:37
Image

Qeveria në detyrë dy ditë më parë ka shfuqizuar vendimet antikoronavirus. Me të hyrë në fazën e tretë të lehtësimit të masave Qeveria dha leje që të rifillojnë punën edhe çerdhet e kopshtet për fëmijët nga mosha 0 deri 5 vjeç.

Por, pas këtij njoftimi, shumë kryetarë komunash u shprehën kundër hapjes së kopshteve, me arsyetimin se nuk janë dhënë informata të bollshme për funksionimin e tyre.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kërkoi nga prindërit që të mos i dërgojnë fëmijët në çerdhe deri në funksionim të plotë të çerdheve.

“Ne presim që Ministria e Arsimit të qartësojë situatën dhe rregullat, po shpresojmë sonte. Prandaj, prindër të nderuar, mos i dërgoni fëmijët në çerdhet publike dhe në ato me bazë në komunitet në komunën tonë deri t’i marrim vendimet dhe rregullat nga niveli qendror dhe derisa çerdhet përkatëse ku i keni fëmijët të ju lajmërojnë për funksionimin e plotë. Çerdhet do të rihapen këto ditë, por ka nevojë për më shumë detaje e përgatitje”, pati thënë Ahmeti të dielën mbrëma (31 maj), kur edhe u kumtua lajmi nga Qeveria për hapjen e çerdheve për 1 qershor.

Dje gjatë ditës i njëjti ka konfirmuar se të gjitha çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet do të jenë të hapura, përveç asaj “Dielli”, e cila momentalisht është në rinovim.

Drejtoresha e kopshtit të fëmijëve me bazë në komunitet “Shtëpia Magjike” në fshatin Besi të Prishtinës, Saime Alshiqi, ka deklaruar për “Zërin” se, ndonëse objekti i kopshtit është në renovim e sipër, sot ka rifilluar puna në këtë kopsht në një objekt ndihmës, gjithnjë duke u bazuar në rekomandimet e lëshuara nga IKSHKP-ja.

“Objekti i kopshtit ‘Shtëpia Magjike’ është duke u rinovuar, mirëpo në objektet të cilat jemi duke i shfrytëzuar është bërë dezinfektimi dhe pastrimi gjeneral dhe janë marrë të gjitha masat në përputhje me rekomandimet e IKSHPK-së”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, çerdhet private kanë rifilluar punën gjatë ditës së djeshme.

Drejtoresha e kopshtit privat “Neci” në kryeqytet, Nezaqet Daki, ka thënë për “Zërin” se numri i fëmijëve që ishin pjesëmarrës ka qenë shumë i vogël në krahasim me numrin e atyre që janë të regjistruar, ani pse prindërit kishin bërë kërkesë për rihapje edhe javë më parë.

“Jemi rihapur dje. Gjatë mbylljes kemi pasur kërkesa të shumta nga prindërit për rihapje, por pak fëmijë kanë ardhur, nuk kanë qenë as 10 fëmijë”, tha ajo.

“Dezinfektimin e kemi kryer, nuk kemi qenë të papërgatitur për këtë hapje, pak a shumë ishim në dijeni”, ka potencuar drejtoresha Daki për “Zërin”.

Gjatë ditës së sotme u raportua se një punëtore në një çerdhe në Fushë-Kosovë dyshohet se është infektuar me koronavirus, pasi ka pasur kontakte me një person që ka dalë pozitiv.

Për këtë shkak Komuna në fjalë ka vendosur që të mos e hapë çerdhen edhe për një kohë të pacaktuar, raporton “Zeri.info”.

E pikërisht nga frika e infektimit me koronavirus prindërit edhe po hezitojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe e kopshte.

Një banore e Fushë-Kosovës, e cila i dërgon fëmijët në kopshtin e fëmijëve me bazë në komunitet “Eda”, ka thënë për “Zërin” se numri i lartë i fëmijëve në këtë kopsht ka bërë që ajo të mos i dërgojë momentalisht fëmijët aty.

“Këtë javë kam filluar punën, ndërsa në çerdhe nuk i kam dërguar fëmijët ende sepse në çerdhen ku unë i dërgoj fëmijët numri i tyre është i madh, për këtë ndihem paksa e pasigurt, edhe pse dezinfektimi është bërë. Në fillim të javës tjetër duhet t’i dërgoj, edhe pse kam hezitime”, deklaroi ajo.

Më 12 mars, një ditë para se të konfirmoheshin rastet e para me koronavirus në vendin tonë, Qeveria mori vendim që të mbyllen të gjitha institucionet arsimore në vend. Ndërkaq, nga 23 marsi Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) nisi së zbatuari procesin mësimor online për klasën 1-rë deri në të 5-tën, ndërsa më vonë nisi ky proces edhe për klasën e 6-të deri në të 9-ën, e po ashtu edhe për gjimnaze dhe shkolla profesionale. /Zëri