Banka Ekonomike: Të gjitha llogaritë dhe të dhënat e klientëve janë të sigurta
Banka Ekonomike e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se sot gjatë ditës janë përballur me një sulm kibernetik. Raporton “Zëri.info”.
Sipas njoftimit të tyre, Banka Ekonomike siguron klientët se të gjitha llogaritë e tyre janë të sigurta.
Lexoni më poshtë njoftimin e plotë:
Të nderuar klientë dhe qytetarë,
Me qëllim të informimit të drejtë dhe evitimit të shqetësimeve eventuale të klientëve tanë, njoftojmë të gjithë klientët se Banka Ekonomike ka qenë cak i një sulmi kibernetik, ku për pasojë një numër i caktuar i sistemeve janë infektuar me virus dhe të njejtin e kemi izoluar me kohë duke siguruar që janë zbatuar masat më të larta të sigurisë në këtë aspekt.
Banka Ekonomike menjëherë pasi që ka ndodhur rasti, ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjor duke njoftuar të gjitha organet kompetente dhe të njëjtat janë duke e hetuar rastin.
Banka Ekonomike i siguron të gjithë klientët e saj, se të gjitha llogaritë dhe mjetet e klientëve tanë, si dhe të dhënat e tyre janë të sigurta, pasiqë ky sulm ka të bëjë me rrjedhjen e informatave që lidhen me fushën e privatësisë.
Banka Ekonomike edhe një herë ju kërkon falje të gjithë klientëve për shqetësimet eventuale që mund të kenë pasur, por deshirojmë të theksojmë edhe njëherë se nuk ka hapësirë për shqetësim lidhur me mjetet e tyre në Bankën Ekonomike, pasi që të njëjtat janë të sigurta.
Për fund, njoftojmë të gjithë personat që publikimi i informatave personale në mënyrë të pa autorizuar përbën vepër penale, prandaj edhe kërkojmë që menjëherë të ndalet shpërndarja e këtyre informatave.