Oda Amerikane kërkon intensifikimin e dialogut publiko-privat në situatën nëpër të cilën po kalon Kosova

Oda Amerikane kërkon intensifikimin e dialogut publiko-privat në situatën nëpër të cilën po kalon Kosova

Ekonomia April 06, 2020 - 15:31

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh besimin e saj fuqishëm se në situatën në të cilët po kalon vendi është e nevojshme ruajtja dhe intensifikimi i dialogut publiko-privat. Në këtë aspekt Oda Amerikane i kërkon Qeverisë në detyrë të fuqizojë mekanizmat formalë të dialogimit, duke përfshirë këtu edhe Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik (KKZHE), përcjell "Zëri.info".

Njëra ndër përgjegjësitë e KKZHE-së përfshin edhe fuqizimin e rolit të komunitetit të biznesit në procesin e zhvillimit ekonomik të vendit, prandaj duke pasur parasysh situatën e paprecedentë nëpër të cilën po kalojmë, është me rëndësi që ky Këshill të mundë të japë kontributin e tij, me qëllim të zbutjes së ndikimit negativ dhe minimizimit të pasojave në sektorin privat dhe ekonominë në përgjithësi.

Oda Amerikane thekson se institucionet e shtetit, të cilat marrin në konsideratë kufizimet dhe rekomandimet e sektorit privat, kanë mundësi më të madhe për përcaktim të mirëfilltë të prioriteteve, hartim dhe zbatim të procesit të reformave në përputhje me nevojat e sektorit privat.

Zbatimi i pakos së masave emergjente, por edhe hartimi i programit të rikuperimit pas pandemisë COVID-19, duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me bizneset, me organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, me institucionet ekonomike, me akademinë, si dhe me ekspertët individualë të ekonomisë.

Në fund Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit zotimin e saj për kontribut aktiv në dialogun publiko privat, por edhe mbështetje të institucioneve legjislative dhe ekzekutive në procesin e hartimit të politikave.