Përfundon maratona e shitjes së 'Llamkosit', Kelmendi pronar i ri

Përfundon maratona e shitjes së 'Llamkosit', Kelmendi pronar i ri

Ekonomia February 15, 2020 - 08:18
Image

Blerësi i fabrikës së llamarinës në Vushtrri Avdullah Kelmendi dhe dy partnerët e tij të huaj kanë kryer të gjitha obligimet. Kelmendi ka paguar 4.8 milionë euro si ofertues i tretë. Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Llamkosit” në një mbledhje që ka mbajtur të premten i ka dhënë 10 ditë afat administratorit Ibrahimagës që punëtorëve t’ua paguajë 750 mijë euro, si njëri nga kreditorët e “Llamkosit”. Si e falimentuan “Llamkosin” Jeton Sadiku dhe oligarku rus Andrew Dobrov?
 
Pas gati një viti qëkur ka filluar procesi i shitjes fabrika e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, që ka në pronësi rreth 18 hektarë tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje, ka fituar pronarin e ri. Avdullah Kelmendi nga Vushtrria dhe dy partnerët e tij të jashtëm kanë kryer të gjitha obligimet financiare për blerjen e “Llamkosit”, pasi kanë paguar gjithë shumën e kontraktuar në vlerën prej 4.8 milionë eurosh, shkruan gazeta "Zëri".

Kelmendi dhe dy partnerët e tij të jashtëm janë bërë pronarë, pasi që dy ofertuesit e parë, “Emona” SHPK nga Vushtrria dhe një kompani e përzier shqiptaro-gjermane me përfaqësues Sami Hysenin nga Vushtrria, ishin tërhequr, pasi nuk kishin arritur t’i paguajnë paratë me kohë. Të kënaqur me shitjen janë shprehur punëtorët e “Llamkosit”, të cilët do t’i marrin më në fund pagat e tyre (nga 10 paga).

Prej falimentimit të “Llamkosit” në vitin 2016 ata kanë jetuar në kushte të rënda dhe pa asnjë përkrahje. Rreth 750 mijë euro është vlera që do ta marrin punëtorët e “LLamkosit” si kreditorë të një prej promotorëve të zhvillimit ekonomik të Vushtrrisë dhe të Kosovës. 
 
Hise në “Llamkos”, 20 kreditorë
 
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani, i tha “Zërit”, të premten, se tani gjithçka ka përfunduar dhe se vetëm presin që t’u paguhet borxhi. “Jemi njoftuar nga pronari i ri se i ka paguar të gjitha paratë, do të thotë 4.8 milionë euro, që ka qenë edhe vlera ofertuese e Avdullah Kelmendit. Ai ka qenë ofertuesi i tretë, ofertuesi i parë ka qenë ‘Emona’ SHPK me 6 milionë euro, ofertuesi i dytë Sami Hyseni nga Vushtrria, përfaqësues i një kompanie shqiptaro-gjermane me 5.8 milionë euro dhe ofertuesi i tretë Avdullah Kelmendi nga Vushtrria, i cili ka ofruar 4.8 milionë euro”, ka sqaruar Hasani.

Ai ka shtuar se ka ftuar një tubim të Sindikatës për t’i njoftuar sindikalistët (punëtorët) se së shpejti do t’i marrin paratë e tyre, por edhe për t’u njoftuar se nevojitën dokumente shtesë. “Natyrisht që ne nuk i përjashtojmë protestat, nëse paratë nuk na jepen me kohë do t’ia japin administratorit 10 ditë afat që të na i paguajnë paratë tona dhe nëse nuk përmbushet ky afat, atëherë ne do të protestojmë. I njoftova punëtorët për zhvillimet dhe kemi vendosur që nëse mjetet për borxhin që na kanë neve nuk paguhen deri më 27 shkurt, atëherë më 28 shkurt do të hyjmë në protestë dhe nuk do t’i ndalim”, ka thënë Hasani.

Ndryshe, fabrika për përpunimin e llamarinës së zinkuar “Llamkos” e Vushtrrisë është shitur më 15 prill 2019 në ankand publik. Çmimi minimal i caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Çështje Ekonomike, ishte 4.8 milionë euro, ndërsa blerësi, kompania “Emona” SHPK, kishte ofertuar me 6 milionë euro, 1.2 milion euro më shumë se çmimi fillestar. Në këtë mënyrë pas procesit të falimentimit “Llamkosi”, që ka në pronësi rreth 18 hektarë tokë, ndërtesa, linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje, ishte bërë për disa muaj pronë e kompanisë “Emona” SHPK, një kompani tregtare vushtrriase me nam në gjithë Kosovën. Kanë qenë edhe 20 kreditorë të “Llamkosit”, të cilët kanë kërkuar hise, në mesin e të cilëve edhe rreth 500 punëtorë të “Llamkosit” që nuk kanë marrë pagat e tyre për më shumë se 10 muaj dhe ato arrijnë shumën prej mbi 750 mijë eurosh.

Kishe edhe një vlerësim të “Deloite”-s, e cila e ka vlerësuar fabrikën në 16.8 milionë euro, por në fund ishte vendosur që vlera e minimale e likuidimit të jetë 4.8 milionë euro. Blerësi tani është ofertuesi i tretë, Avdullah Kelmendi, i cili do të paguajë 4.8 milionë euro, që është çmimi fillestar në ankand. 

Ndryshe, fabrika për përpunimin e llamarinës së zinkuar “Llamkos” në Vushtrri është privatizuar dy herë, por që në të dyja rastet privatizimi pati dështuar. “Llamkosi” ka qenë i destinuar për përpunimin e llamarinës dhe për herë të parë ishte privatizuar në vitin 2005 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit me “Spin-off”-in special. Kjo formë e privatizimit është aplikuar për ndërmarrjet, të cilat janë konsideruar më të mëdha se blerësi. Si rrjedhojë, blerësi nuk ka pasur të drejtë t’ua ndërrojë destinimin e gjithashtu duhej t’i punësonte një numër të caktuar të punëtorëve dhe të realizojë investime të reja. 

Në vitin 2015 çështjen e “Llamkosit” e kishte marrë në trajtim Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Çështje Ekonomike, e cila edhe e kishte caktuar një administrator, Virtyt Ibrahimaga, për t’i zbatuar procedurat e falimentimit deri në shitje të fabrikës. Sipas ankandit, blerësi eventual i “Llamkosit” nuk do ta ketë për obligim t’i shlyejë borxhet ndaj punëtorëve të fabrikës, të cilëve kompania u ka mbetur borxh për rroga për 10 muaj. Janë më shumë se 750 mijë euro, që vlerësohet se janë obligime të pashlyera ndaj rreth 500 punëtorëve. Në anën tjetër, përkrah kërkesës që të mos i ndryshohet destinimi, punëtorët e “Llamkosit” kishin me ngulm që kompania blerëse t’i punësojë rreth 500 punëtorë, si dhe t’ua paguajë pagat për 10 muaj.
 
Falimentuesi i “Llamkosit”, oligarku rus Andrew Dobrov
 
Agjencia Kosovare e Privatizimit, atëherë AKM-ja, për herë të parë ka privatizuar fabrikën e llamarinës “Llamkos” në vitin 2005. Fabrika prodhonte rreth 120 mijë tonë llamarinë në vit dhe në të punonin 500 punëtorë. Fabrika ka në pronësi mbi 18 hektarë tokë, dy ndërtesa fabrike, qindra makineri të shtrenjta, dy strehimore nga sulmet me armët e shkatërrimit në masë. “Ata që e privatizuan fabrikën punuan mirë rreth dy vjet e pastaj filluan ta plaçkitin dhe në këtë mënyrë u krijuan borxhe. Qeveria e mori përsëri në përkujdesje dhe ajo u privatizua për herë të dytë në vitin 2011, nëpërmes shitjeve të aseteve me likuidim dhe ka qenë nën monitorim për periudhën 5-vjeçare, ose diku deri në gusht të vitit 2016”, tregon kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani, shkruan më tej gazeta "Zëri".

Pronar i “Llamkosit” u bë “GalvaSteel”, respektivisht Jeton Sadiku e “Coresteel Group” kishte për pronar Jeton Sadikun, David Hulme ishte drejtor ekzekutiv dhe Arlind Jupolli, zyrtar ligjor dhe agjent i kompanisë. Ata më vonë do të akuzoheshin nga Prokuroria edhe me persona të tjerë për “Mashtrim”. 

Siç ka mësuar “Zëri”, blerësi kishte marrë për obligim për të investuar 100 milionë euro brenda 5 vjetësh, si dhe për punësimin e numrit të përgjithshëm të punëtorëve prej 1860 sish. Po ai nuk i kishte përmbushur premtimet dhe obligimet e AKP-së sipas kontratës dhe në këtë mënyrë AKP-ja e kishte gjobitur atë disa herë. Thonë se prapa Sadikut ka qëndruar një oligark rus me emrin Andrew Dobrov. 

Jeton Sadiku, pronar i “Coresteel”-it, ishte akuzuar se kishe mashtruar disa banka; “Standard Bank PLC” në Londër, pasi që paraprakisht gjithë pasurinë e “Llamkosit” e kishte vendosur në hipotekë, viktimë kishte rënë edhe Banka Kombëtare Tregtare në Prishtinë, pastaj edhe Banka Ekonomike. Në këtë mënyrë Sadiku kishte dështuar t’i paguajë edhe dënimet që ia kishte vënë AKP-ja, derisa borxhet ndaj kontraktuesve rriteshin, siç rriteshin edhe ato ndaj punëtorëve. Pasi që Sadiku për shumë vepra kriminale kishte rënë në burg, bashkë edhe me bashkëpunëtorët e tij, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte vendosur të fillojë procesin e falimentimit, duke e emëruar një administrator, Vyrtyt Ibrahimaga, i cili do ta përcillte gjithë procesin.

Tani kur gjithçka ka përfunduar dhe kur fabrika është bërë pronë e Avdullah Kelmendit, qytetarët e Vushtrrisë shpresojnë se fabrika do ta ruajë destinimin që kishte dhe të fillojë të prodhojë llamarinë, për të mundësuar punësimin e vushtrriasve, krahas 500 punëtorëve të cilët shpresojnë se do të rifillojnë të punojnë, ndonëse blerësi i ri nuk ka asnjë obligim ndaj punëtorëve./ZËRI