Strategjia, e paqartë për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro
Drejtuesit e Qeverisë së Kosovës kanë premtuar rritje të buxhetit të shtetit deri në 3 miliardë euro përgjatë mandatit qeverisës, por pa dhënë detaje se si do të përmbushet ky premtim. Megjithëkëtë, kryeministri Albin Kurti shpreson se një gjë e tillë do ta arrijë duke rritur paraprakisht vlerën e ekonomisë. Por ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se ky zotim është i pamundur të realizohet përgjatë një mandati, shkruan gazeta "Zëri".
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar rritje të buxhetit të shtetit deri në 3 miliardë euro gjatë mandatit qeverisës. Por Qeveria nuk ka bërë publike strategjinë se si mëton të vijë deri te kjo rritje. Në një dokument, në të cilin janë të paraqitura shkurtimisht pikat e programit qeverisës LVV – LDK, thuhet vetëm se buxheti i Republikës së Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro gjatë këtij mandati, duke rritur paraprakisht vlerën e ekonomisë. Por nuk jepen hollësi të tjera. Gjersa kanë folur rreth kësaj përfaqësuesit e opozitës janë shprehur të bindur se ky zotim i Qeverisë nuk mund të realizohet për katër vjet. Ata kanë thënë se presin që buxheti të rritet nga viti në vit, por shifrat e paralajmëruara nga drejtuesit e ekzekutivit i kanë cilësuar të paarritshme. Ndërkohë Kosova ende nuk e ka miratuar buxhetin për vitin 2020. Qeveria akoma nuk ka prezantuar projektbuxhetin, i cili më pas duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim, mirëpo qeveria paraprake ka miratuar vetëm kornizat buxhetore. Rrjedhimisht, buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro (afro 1 milion euro më shumë sesa buxheti i vitit të kaluar).
Opozita, e bindur në mosarritjen e vlerës 3 miliardë euro
Derisa ka premtuar rritje të buxhetit deri në 3 miliardë euro, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ditën kur është votuar Qeveria ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhë duke rritur vlerën e ekonomisë. “Buxheti i Republikës së Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro gjatë mandatit tonë qeverisës, duke rritur paraprakisht vlerën e ekonomisë dhe duke ruajtur pjesëmarrjen e shpenzimeve publike në Bruto Produktin e Brendshëm”, është shprehur Kurti pak para votimit të Qeverisë.
Pavarësisht këtij zotimi, dy partitë e koalicionit LVV - LDK ende nuk kanë publikuar programin e plotë qeverisës, në të cilin do të shpjegohej më detajisht strategjia se si do të arrihej të jetësohej ky zotim.
Lidhur me këtë çështje gazeta ka dërguar pyetje para tri ditësh edhe në Ministrinë e Financave, mirëpo nga ky dikaster nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë gjersa ka folur rreth premtimit për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro, ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka (AKR), ka thënë se qeveria e re e ka problem që këtë zotim ta realizojë gjatë këtij mandati, megjithëkëtë ai ka konsideruar se mund të bëhet një rritje e konsiderueshme duke i dhënë prioritet vlerave ekonomike, gjegjësisht duke zhvilluar sektorët privatë më tepër. “Unë kam dyshime prej kësaj qeverie sidomos në mosvazhdimin e menaxhimit të disa prej aseteve të mëdha siç është Telekomi i Kosovës, të cilat mund të sjellin benefite shtesë për buxhetin dhe për vendin. Mirëpo prapëseprapë mendoj se buxheti ka mundësi të rritet, por absolutisht jo, në asnjë formë, që gjatë këtij mandati ta arrijë vlerën e 3 miliardë eurove”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Problemi tjetër në këtë drejtim sipas Llukës ka të bëjë edhe me synimin e Qeverisë që të zvogëlohen tatimet mbi të ardhurat personale për pagat e vogla, në vlerë prej 250 eurosh. “Prandaj kjo nuk do të ketë ndikim në buxhet, se kjo ka të bëjë me transferim nga personat që kanë të ardhura të mëdha te personat që kanë paga më të vogla, kështu që ndikimi në buxhet është i limituar”, ka shtuar ai.
Ndërkohë ka thënë se huamarrja nga jashtë është një opsion përmes së cilit mund të shkohet drejt rritjes së buxhetit, por kreditimi i buxhetit sipas Llukës nuk mund të bëhet në sasi të madhe. “Kosova edhe sot vazhdon të mburret se e ka mbajtur borxhin publik të ulët, gjë që është shumë mirë. Por huamarrja nuk mund të merret në atë masë që të rritet shumë borxhi publik. Nëse shikohen qeveritë e kaluara shihet se huamarrja brenda shtatë - tetë vjetëve të fundit është rritur diku nga rreth 13 për qind në 18 - 19 për qind. Normalisht nuk mund të shkojë jashtë këtij trendi”, ka theksuar ai.
Edhe Safete Hadërgjonaj, ish-kryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e PDK-së, ka thënë se pret të ketë rritje të buxhetit, mirëpo premtimet e dhëna nga qeveria e re i ka cilësuar të paarritshme. “Buxheti i Republikës së Kosovës ka shkuar duke u rritur nga viti në vit. Unë pres që të ketë rritje prapë, por premtimet që janë dhënë nga Qeveria janë premtime përmendësh, nuk janë premtime të bazuara në realitetin, i cili mbizotëron në Kosovë. Ne presim që buxheti të rritet, por këto shifra që janë thënë nga Qeveria janë të paarritshme”, është shprehur ajo.
Sidoqoftë për t’u rritur buxheti sipas saj në radhë të parë duhet t’i jepet prioritet zhvillimit të bizneseve të vogla dhe të mesme në Kosovë, duhet t’i jepet fuqi sektorit privat për t’u zhvilluar, sepse pjesa më e madhe e të hyrave, siç ajo është shprehur, mund të vijë nga aty. Gjithashtu Hadërgjonaj ka thënë se duhet të punohet shumë që ekonomia të jetë e formalizuar dhe jo dikush të paguajë obligimet ndaj shtetit, dikush të mos paguajë.
Pikat që mund të çojnë drejt rritjes së buxhetit
Eksperti i ekonomisë Naim Gashi ka konsideruar se rritja e buxhetit në 3 miliardë euro është e mundshme vetëm nëse kryhen disa veprime nga Qeveria dhe nga institucionet e tjera të sundimit të ligjit. “Puna e parë është eliminimi i monopoleve në tregje. Monopolet dhe oligopolet në shumë fusha në Kosovë e kanë vrarë konkurrencën e lirë dhe kanë pamundësuar zhvillimin e bizneseve”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Një veprim tjetër i domosdoshëm sipas tij është luftimi i pakompromis i evazionit fiskal dhe eliminimi i praktikave të favorizimit të kompanive të caktuara gjatë kontraktimit të punëve publike. Po ashtu një veprim tjetër i domosdoshëm, siç Gashi është shprehur, është luftimi i kontrabandës nëpër kufij.
“Kontrabanduesit përveçqë e dëmtojnë arkën e shtetit, ata prishin edhe konkurrencën e lirë sepse kanë kosto më të ulët të produkteve. Sistemi i drejtësisë në Kosovë është i brishtë. Qytetarët e Kosovës dhe bizneset nuk janë të barabarta para ligjit. Fuqizimi i sistemit të drejtësisë nxit investimet e brendshme dhe inkurajon investimet e jashtme. Rritja e investimeve e zgjeron bazën tatimore dhe për rrjedhojë rrit të ardhurat për arkën e shtetit”, ka shtuar ai.
Me këtë rast Gashi ka treguar se si mund të ketë rritje të buxhetit deri në 3 miliardë euro.
“Ekonomia joformale në Kosovë është 31%. Nëse marrim parasysh GDP-në e Kosovës 8 miliardë, atëherë ekonomia joformale është rreth 2.5 miliardë. Nëse ekonomia joformale bie në 20%, atëherë buxheti i shtetit mund të rritet në 3 miliardë”, ka theksuar ai.
Ndërkohë Kosova ende nuk e ka miratuar buxhetin për vitin 2020. Gjersa ka folur rreth kësaj ish-ministri i Financave në qeverinë e kaluar, Lulzim Rafuna, ka thënë se qeveria e kaluar e kishte projektuar këtë buxhet në mënyrë profesionale. “Buxheti, i cili është përgatitur nga Ministria e Financave në qeverinë e kaluar, ka qenë një buxhet që në fokus e ka pasur qytetarin e Kosovës, e ka pasur në fokus zhvillimin ekonomik të vendit duke mos përjashtuar shëndetësinë, arsimin dhe fushën e sundimit të ligjit. Ka qenë një buxhet i përgatitur në vlerën 2.4 miliardë euro, një buxhet që ka qenë më i madh se i vitit 2019, një buxhet i cili nuk ka paraparë rritjen e taksave ekzistuese dhe vendosjen e një tatimi të ri”, ka theksuar ai.
Duke u nisur nga fakti se ende nuk është prezantuar projektbuxheti për vitin 2020, Qeveria e Kosovës ka miratuar dje vendimin për t’ia kërkuar Kuvendit të Kosovës zgjatjen buxhetore edhe për muajin mars./ZËRI