Apostolova: Stabiliteti fiskal si dhe qeverisja e mirë ekonomike janë kritere kryesore për rrugën evropiane të Kosovës
Stabiliteti makro-ekonomik dhe fiskal si dhe qeverisja e mirë ekonomike, janë kritere kryesore për rrugën evropiane të Kosovës, kështu u tha gjatë takimit të shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova me ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.
Bislimi dhe Apostolova po ashtu në këtë takim kanë diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në ndihmën që BE-ja bënë për Ministrinë e Financave dhe Transfereve dhe përdorimin e duhur të kësaj ndihme nga institucionet.
Ministri Bislimi ka njoftuar Apostolovën për prioritetet e Ministrisë së Financave dhe Transfereve gjatë këtij mandati katër vjeçar të qeverisë, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e BE-së.
“Stabiliteti makro-ekonomik dhe fiskal si dhe qeverisja ekonomike, janë kritere kryesore për rrugën evropiane të Kosovës, e ndjekur nga BE-ja përmes Programit të Reformës Ekonomike dhe dialogut ekonomik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në të cilin Kosova merr pjesë”, ka thënë Apostolova.