Kadrijaj: Në Kosovë reformat në ekonomi varen nga jetëgjatësia e qeverive

Kadrijaj: Në Kosovë reformat në ekonomi varen nga jetëgjatësia e qeverive

Ekonomia February 11, 2020 - 13:23
Reformat e parapara nga kreu i Qeverisë së Kosovës Albin Kurti në sektorin e ekonomisë nga njohësit e çështjeve ekonomike janë duke u parë si ambicioze, por të realizueshme, ndërsa si dëshira të pamundura nga partitë opozitare të vendit. Kurti ndër të tjera ka premtuar mbylljen e AKP-së, bashkimin e Doganës me ATK-në, si dhe rritjen e buxhetit deri në tre miliardë euro për një vit

Në seancën, kur mori detyrën e re si kryeministër i vendit, Albin Kurti ndër synimet me parësore shpërfaqi reforma ambicioze në sektorin e ekonomisë, nëpërmjet të të cilave do të dinamizohej zhvillimi ekonomik i vendit. Mbyllja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, bashkimi i Administratës Tatimore të Kosovës me Doganën, rritja e buxhetit deri në tre miliardë euro, si dhe programi për 8 orë punë janë disa nga synimet e qeverisë “Kurti” për reforma në ekonomi, shkruan sot gazeta "Zëri".

Për njohësit e çështjeve të ekonomisë synimet e paraqitura nga Kurti për reforma rrënjësore në ekonomi po shihen ambicioze, pavarësisht se realizimi i tyre varet edhe nga jetëgjatësia e Qeverisë. Nga përfaqësuesit e partive opozitare këto synime të Kurtit po shihen vetëm si dëshira personale.

Njohësi i çështjeve ekonomike Mustaf Kadrijaj në një deklaratë për “Zërin” e ka quajtur optimist planprogramin e qeverisë “Kurti” për zhvillimin ekonomik. Sipas tij, funksionalizimi ose jo i këtij plani varet nga vullneti i qeverisë së re.

“Është e normale se çdo kryeministër vjen në pushtet me një ofertë për qytetarët dhe është normale se ai ka disponim ta jetësojë këtë plan. Tani kur flasim ka vetëm pak ditë që ka marrë mandatin si kryeministër z. Kurti dhe ne nuk duhet të jemi paragjykues, duhet të presim se si do t’i qaset dhe sa do të jetë serioz në jetësimin e këtyre reformave”, ka thënë ai.

Kësisoj, sipas tij, nëse shihet prapa në Kosovë partitë politike kanë dështuar t’i jetësojnë planet për zhvillim ekonomik si pasojë e moszgjatjes së qeverisjes së tyre.

“Një gjë është dëshmuar që nga paslufta, sado që të jetë e parashikuar mirë reforma, nëse nuk ka jetëgjatësi qeveria vetëm do të krijonte paqartësi në administrim, sepse ta bëjë bashkimin e Doganës dhe të ATK-së dhe të krijojë Fond për Kreditim, si dhe ta shuash AKP-në ka edhe një dozë të riskut, pasi nëse dështon ose menaxhohet jo mirë do të bëhet edhe më keq, përderisa qytetari ia ka dhënë besimin për një qeverisje më të mirë”, është shprehur ai.

Kësisoj sipas tij ekziston rreziku, sado i vogël qoftë ai që ndryshimet thelbësore që planifikohen dhe të mos ecin sipas planit qeveritar.

“Pra, nga këndvështrimi i një ekonomisti, çdo ndryshim ka një dozë të frikës, sepse një veprim politik bën gabime që do kohë për t’u sanuar. Çka do të bëhej nëse nuk funksionon autoriteti i ri i bashkuar ATK – Dogana, po ashtu nëse shuhet AKP-ja çka do të bëhej edhe me ato pak pasuri që nuk janë privatizuar ende. A do t’i ktheheshin ato në pronë shtetërore, që s’do mend se do të ishte si ndërhyrje majtiste në të qeverisurit. Po ashtu ka pa qartësi edhe me krijimin e Fondit, kush do ta themelojë, Qeveria apo Parlamenti? Kush do ta mbikëqyrë, cili sektor do t’i përkrahë, si do t’i krijonte të hyrat ky Fond? Pra është një veprim më shumë të panjohura, që pavarësisht dozës së frikës për jetësim nuk dua të paragjykoj, kështu që uroj që të kemi një qeveri ashtu siç është deklaruar”, ka shtuar tutje Kadriaj./ZERI