Shatri: Synimet e Albin Kurtit për reforma në ekonomi- thjesht janë dëshira
Në seancën, kur mori detyrën e re si kryeministër i vendit, Albin Kurti ndër synimet me parësore shpërfaqi reforma ambicioze në sektorin e ekonomisë, nëpërmjet të të cilave do të dinamizohej zhvillimi ekonomik i vendit, shkruan sot gazeta "Zëri"
Mbyllja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, bashkimi i Administratës Tatimore të Kosovës me Doganën, rritja e buxhetit deri në tre miliardë euro, si dhe programi për 8 orë punë janë disa nga synimet e qeverisë “Kurti” për reforma në ekonomi. Për njohësit e çështjeve të ekonomisë synimet e paraqitura nga Kurti për reforma rrënjësore në ekonomi po shihen ambicioze, pavarësisht se realizimi i tyre varet edhe nga jetëgjatësia e Qeverisë. Nga përfaqësuesit e partive opozitare këto synime të Kurtit po shihen vetëm si dëshira personale
Ish-ministri i Financave, si dhe njëherësh këshilltari i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për çështje të ekonomisë, Haki Shatri, synimet për reforma në ekonomi të paraqitura nga kryeministri aktual Albin Kurti i ka cilësuar vetëm dëshira.
"Ai i ka paraqitur disa synime e që janë dëshira. Kjo do të thotë se thjesht janë dëshira, sepse ashtu siç janë paraqitur ato shihen si dëshira të mira, që do të kisha pasur dëshirë të realizohen. Për t’u realizuar këto duhet të ketë një analizë të mirëfilltë, të bazuar në bazën materiale të realizimit të atyre synimeve e që nuk e kemi parë", ka thënë Shatri.
Sipas tij, ka një dallim të madh në mes të asaj që është e ditur dhe e shkruar në letër dhe asaj çfarë dëshiron një njeri, duke aluduar kështu në pikat e reformës për ekonomi që i ka paraqitur kryeministri.
"Ne e kemi buxhetin dhe e kemi këtë ekonomi që e kemi me këtë aftësi akumuluese që e kemi dhe ajo pa marrë parasysh se çfarë shkruhet në letër, ajo nuk ndërron, është po ajo që është. Edhe dëshira më e madhe e njeriut është vështirë të realizohet, sepse nuk po shoh bazë materiale. Është dashur të bëhet një analizë e mbështetur në parametra, të cilët e garantojnë realizimin e atyre synimeve. Këto ne nuk i kemi parë. Ato janë vetëm dëshira të paraqitura në ndonjë rast solemn. Të shohim kur të vijë programi se si do të prezantohen ato synime", ka thënë ai./ZERI