Parashikime ambicioze të Kurtit për zhvillimin ekonomik
Reformat e parapara nga kreu i Qeverisë së Kosovës Albin Kurti në sektorin e ekonomisë nga njohësit e çështjeve ekonomike janë duke u parë si ambicioze, por të realizueshme, ndërsa si dëshira të pamundura nga partitë opozitare të vendit. Kurti ndër të tjera ka premtuar mbylljen e AKP-së, bashkimin e Doganës me ATK-në, si dhe rritjen e buxhetit deri në tre miliardë euro për një vit, shkruan sot gazeta Zëri.
Në seancën, kur mori detyrën e re si kryeministër i vendit, Albin Kurti ndër synimet me parësore shpërfaqi reforma ambicioze në sektorin e ekonomisë, nëpërmjet të të cilave do të dinamizohej zhvillimi ekonomik i vendit. Mbyllja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, bashkimi i Administratës Tatimore të Kosovës me Doganën, rritja e buxhetit deri në tre miliardë euro, si dhe programi për 8 orë punë janë disa nga synimet e qeverisë “Kurti” për reforma në ekonomi. Për njohësit e çështjeve të ekonomisë synimet e paraqitura nga Kurti për reforma rrënjësore në ekonomi po shihen ambicioze, pavarësisht se realizimi i tyre varet edhe nga jetëgjatësia e Qeverisë. Nga përfaqësuesit e partive opozitare këto synime të Kurtit po shihen vetëm si dëshira personale.
Reformat e premtuara në ekonomi
Partnerët e koalicionit LVV – LDK për bashkëqeverisje janë dakorduar që për ta zhvilluar ekonominë e vendit të bëjnë reforma në disa pika. Një ndër synimet më madhore është ai për rritjen e buxhetit deri në 3 miliardë euro gjatë qeverisë “Kurti”. Zvogëlimi i ndërmarrësisë në tërësi dhe me fokus të veçantë për ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe për industrinë prodhuese është një ndër synimet kyçe të kësaj reforme. Si rrjedhojë e kësaj reforme Agjencia Kosovare e Privatizimit pritet të shuhet dhe të krijohet një agjenci brenda Qeverisë. Më saktësisht, me pajtimin e partnerëve të koalicionit është paraparë të krijohet Fondi Sovran, i cili do t’i marrë në pronësi pronat strategjike të Kosovës. Kjo nënkupton edhe krijimin e mundësive për investime jashtë vendit, si dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit. Përveç këtij Fondi, pritet të formohet edhe Fondi Zhvillimor bazë e të cilit janë mjetet financiare të privatizimit dhe burime të tjera. E një fond tjetër është edhe Fondi Garantues i Kredive e që për qëllim ka garantimin e kredisë duke ulur kështu nevojën e kreditimit për bizneset vendore. Politikat e punësimit po ashtu janë të përfshira në planin zhvillimor për ekonomi. Sipas dakordimit të arritur nga partnerët e koalicionit në këtë sektor më shumë do të përqendrohen në punësimin e të rinjve dhe të grave. Ndërsa në planin zhvillimor për ekonomi është paraparë dhe krijimi i grantit të katërt për komuna. Ky grant do të fokusohet për investimet kapitale. Ndër reformat që pritet të ndodhin janë edhe ndryshimet tatimore e ku priten edhe ndryshime në Ligjin për të Ardhurat Personale. Në kuadër të këtyre ndryshimeve hyjnë edhe ndryshimet për mbledhjen e TVSH-së brenda vendit, si dhe heqja e të gjitha kufizimeve për konkurrencën e lirë. Pjesë e rëndësishme e këtij projekti është edhe programi për 8 orë punë, ku çdo punëtor duhet të punojë 8 orë në ditë dhe 40 orë në javë sipas ligjit. Qeveria “Kurti” ka theksuar se për ta arritur këtë qëllim do ta shtojnë numrin e inspektorëve deri në 400, ndërsa është theksuar se do të nisin themelimin e një programi nacional të kursimit katërvjeçar.
Kadrijaj: Në Kosovë reformat në ekonomi varen nga jetëgjatësia e qeverive
Njohësi i çështjeve ekonomike Mustaf Kadrijaj në një deklaratë për “Zërin” e ka quajtur optimist planprogramin e qeverisë “Kurti” për zhvillimin ekonomik. Sipas tij, funksionalizimi ose jo i këtij plani varet nga vullneti i qeverisë së re. “Është e normale se çdo kryeministër vjen në pushtet me një ofertë për qytetarët dhe është normale se ai ka disponim ta jetësojë këtë plan. Tani kur flasim ka vetëm pak ditë që ka marrë mandatin si kryeministër z. Kurti dhe ne nuk duhet të jemi paragjykues, duhet të presim se si do t’i qaset dhe sa do të jetë serioz në jetësimin e këtyre reformave”, ka thënë ai.
Kësisoj, sipas tij, nëse shihet prapa në Kosovë partitë politike kanë dështuar t’i jetësojnë planet për zhvillim ekonomik si pasojë e moszgjatjes së qeverisjes së tyre. “Një gjë është dëshmuar që nga paslufta, sado që të jetë e parashikuar mirë reforma, nëse nuk ka jetëgjatësi qeveria vetëm do të krijonte paqartësi në administrim, sepse ta bëjë bashkimin e Doganës dhe të ATK-së dhe të krijojë Fond për Kreditim, si dhe ta shuash AKP-në ka edhe një dozë të riskut, pasi nëse dështon ose menaxhohet jo mirë do të bëhet edhe më keq, përderisa qytetari ia ka dhënë besimin për një qeverisje më të mirë”, është shprehur ai.
Kësisoj sipas tij ekziston rreziku, sado i vogël qoftë ai që ndryshimet thelbësore që planifikohen dhe të mos ecin sipas planit qeveritar. “Pra, nga këndvështrimi i një ekonomisti, çdo ndryshim ka një dozë të frikës, sepse një veprim politik bën gabime që do kohë për t’u sanuar. Çka do të bëhej nëse nuk funksionon autoriteti i ri i bashkuar ATK – Dogana, po ashtu nëse shuhet AKP-ja çka do të bëhej edhe me ato pak pasuri që nuk janë privatizuar ende. A do t’i ktheheshin ato në pronë shtetërore, që s’do mend se do të ishte si ndërhyrje majtiste në të qeverisurit. Po ashtu ka pa qartësi edhe me krijimin e Fondit, kush do ta themelojë, Qeveria apo Parlamenti? Kush do ta mbikëqyrë, cili sektor do t’i përkrahë, si do t’i krijonte të hyrat ky Fond? Pra është një veprim më shumë të panjohura, që pavarësisht dozës së frikës për jetësim nuk dua të paragjykoj, kështu që uroj që të kemi një qeveri ashtu siç është deklaruar”, ka shtuar tutje Kadriaj.
Shatri: Synimet e Albin Kurtit - thjesht janë dëshira
Ish-ministri i Financave, si dhe njëherësh këshilltari i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për çështje të ekonomisë, Haki Shatri, synimet për reforma në ekonomi të paraqitura nga kryeministri aktual Albin Kurti i ka cilësuar vetëm dëshira. "Ai i ka paraqitur disa synime e që janë dëshira. Kjo do të thotë se thjesht janë dëshira, sepse ashtu siç janë paraqitur ato shihen si dëshira të mira, që do të kisha pasur dëshirë të realizohen. Për t’u realizuar këto duhet të ketë një analizë të mirëfilltë, të bazuar në bazën materiale të realizimit të atyre synimeve e që nuk e kemi parë", ka thënë Shatri.
Sipas tij, ka një dallim të madh në mes të asaj që është e ditur dhe e shkruar në letër dhe asaj çfarë dëshiron një njeri, duke aluduar kështu në pikat e reformës për ekonomi që i ka paraqitur kryeministri. "Ne e kemi buxhetin dhe e kemi këtë ekonomi që e kemi me këtë aftësi akumuluese që e kemi dhe ajo pa marrë parasysh se çfarë shkruhet në letër, ajo nuk ndërron, është po ajo që është. Edhe dëshira më e madhe e njeriut është vështirë të realizohet, sepse nuk po shoh bazë materiale. Është dashur të bëhet një analizë e mbështetur në parametra, të cilët e garantojnë realizimin e atyre synimeve. Këto ne nuk i kemi parë. Ato janë vetëm dëshira të paraqitura në ndonjë rast solemn. Të shohim kur të vijë programi se si do të prezantohen ato synime", ka thënë ai./ZERI