Çfarë ishte ‘tregu reciprok’ që u zbatua gjatë periudhës së diktaturës në Shqipëri?

Çfarë ishte ‘tregu reciprok’ që u zbatua gjatë periudhës së diktaturës në Shqipëri?

Ekonomia February 10, 2020 - 15:07

Në vitin 1948, pas ndërprerjes së furnizimit me triska të fshatarësisë, filloi zbatimi i një sistemi të ri grumbullimi dhe furnizimi për fshatarësinë, nëpërmjet të ashtuquajturës “tregti reciproke”.

Më konkretisht, sistemi i plotë i “këmbimeve reciproke” ndërmjet shtetit dhe fshatarësisë, filloi të veprojë nga data 1 janar 1949.

Përmes këtij sistemi, fshatarësia duhet të furnizonte shtetin me sasinë e nevojshme të produkteve bujqësore, blegtorale, bimëve industriale dhe bimëve mjekësorë që ajo prodhonte. Nga ana tjetër, shteti, nëpërmjet kooperativave të shitblerjes, merrte përsipër të furnizonte fshatarësinë me mallra industriale, që nuk prodhoheshin në fshat, me çmime më të ulëta se tregu i lirë. Nga jashtë të krijohej përshtypja e vendosjes së një sistemi, që respektonte interesat reciproke të të dy palëve: të fshatarësisë dhe të shtetit.

Fshatarësia i siguronte shtetit sasitë e nevojshme të produkteve që ajo prodhonte dhe në këmbim të kësaj, shteti e furnizonte fshatarësinë me mallrat qe ajo nuk i prodhonte. Llojet dhe sasia e mallrave që fshatari fitonte të drejtën të blinte në kooperativat e shitblerjes me çmime të garantuara reciproke, përcaktoheshin nëpërmjet lëshimit të bonove ose kuponëve të tregut reciprok nga ana e grumbulluesit shtetëror, që pranonte dorëzimin e produkteve bujqësore e blegtorale të fshatarit.

Pra, në këtë partneritet ose “këmbim reciprok” të gjitha kushtet e këmbimit vendoseshin nga shteti apo nga aparati i nomenklaturës së diktaturës.