Lëshohet në punë provuese Ujësjellësi Rajonal Veri, Serbia investoi mbi 17 milionë euro

Lëshohet në punë provuese Ujësjellësi Rajonal Veri, Serbia investoi mbi 17 milionë euro

Ekonomia November 28, 2019 - 08:36
Detajet
Image

Fabrika kryesore për përpunimin e ujit është ndërtuar pranë liqenit të Ujmanit në Zubin Potok, ndërsa sistemi i gypave nga aty shkon deri në Mitrovicën e Veriut në gjatësi prej 25 kilometër. Stacioni i ashtuquajtur “buster” ndodhet në fshatin Jagnjenica, ndërsa është ndërtuar edhe një rezervoar me kapacitet prej 100 metra kub ujë, si dhe është hapur një tunel në gjatësi prej 920 metra për ta kaluar materialin ndërtimor, shkruan sot gazeta Zëri.

Përreth pesë muaj vonesë nga afati i fundit, të martën është lëshuar në punë provuese Ujësjellësi Rajonal për Veriun, për të cilin Serbia ka investuar 17 milionë euro. Ndërtimi i Ujësjellësit ka zgjatur më shumë se 9 vjet, për shkak të problemeve që kishin dalë me kompanitë ndërtimore, të kontraktuara nga Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Fabrika kryesore për përpunimin e ujit është ndërtuar në Ujman të Zubin Potokut (Gazivoda), fare pranë liqenit, ndërsa sistemi i gypave nga aty shkon deri në Mitrovicën e Veriut në gjatësi prej 25 kilometrash. Stacioni i quajtur “Buster” ndodhet në fshatin Jagnjenica, është ndërtuar edhe një rezervuar i ujit në kapacitet prej 100 metrash kub ujë, ndërsa është hapur tuneli në gjatësi prej 920 metrash.

Ujësjellës për banorët e Mitrovicës së Veriut, të Zveçanit dhe të Zubin Potokut

Ky ujësjellës planifikohet t’i furnizojë me ujë të pijshëm banorët e Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit, si dhe ata të Zubin Potokut. Leposaviqi ka ujësjellësin e vet dhe nuk është i lidhur më ujësjellësin e Zubin Potokut. Lëshimin në punë provuese të ujësjellësit në Zubin Potok e ka konfirmuar drejtori i NKSH “Vodovod – Ibar” në veri të Mitrovicës, Miodrag Raliq. “Ujësjellësi Rajonal në Gazivoda (Ujman) ka filluar sot (e martë) me furnizimin me ujë me gjithë kapacitetin. Njëkohësisht do të bëhet edhe një herë verifikimi i gypave, për ç’arsye i lusim qytetarët që ujin ta përdorin për disa ditë të ardhshme vetëm për çështje teknike dhe në asnjë mënyrë për pije. Gjatë kryerjes së punimeve në verifikimin e gypave do të kontrollohet vazhdimisht dhe do të shikohet se a janë gypat në rregull dhe qytetarët me kohë do të informohen se kur do të mundë ta përdorin ujin për pije”, ka thënë Raliq.

Raliqi ka përkujtuar se shteti i Serbisë ka investuar mbi 17 milionë euro, në mënyrë që veriu të ketë furnizim të rregull me ujë të pijshëm.

Ndërtimi i ujësjellësit rajonal në afërsi të liqenit të Ujmanit në Zubin Potok ka filluar në vitin 2011 kur ishin siguruar 10 milionë euro, por ato ishin ndërprerë shumë herë deri në vitin 2015, kur kishte filluar të punohet intensivisht. Në ndërkohë, shteti i Serbisë kishte siguruar edhe 6 milionë euro të tjera. Uji i cili përpunohet në fabrikën për përpunimin e ujit merret nga liqeni i Ujmanit, nga 70 metra thellësi. “Vidovdani”, respektivisht 28 qershori ishte caktuar si data e fundit e përurimit të ujësjellësit për veriun. Këtë e kishin premtuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, madje ky i fundit kishte shkuar në Zubin Potok për t’ia prerë shiritin projektit, por që kishte dështuar pasi zyrtarët serbë i kishin thënë se duhet të përfundojë edhe faza e vendosjes së gypave. Deri më tani tri komunat veriore janë furnizuar me ujë të pijshëm nga jugu, gjithmonë duke u ankuar se po u ndalet uji pa ndonjë arsye.

Borxhi për ujin e shpenzuar në veri arrin në 13 milionë euro

Për ta zgjidhur këtë problem Zyra e BE-së në Kosovë në vitin 2011 pati financuar projektin për zgjerimin e kapaciteteve të fabrikës për përpunimin e ujit në Shipol dhe për ndërtimin e ujësjellësit, me të cilin do të sigurohej furnizim me ujë edhe për pjesën veriore të Mitrovicës dhe për Zveçanin. Por atëherë drejtuesit e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok, nuk kishin pranuar të kyçen në gypat e ujësjellësit nga jugu, por kishin vendosur të ndërtojnë një ujësjellës të vetin për komunat veriore. Për realizimin e projektit tri komunat e veriut, Mitrovica, Zveçani dhe Zubin Potoku, kishin marrë 9 milionë euro kredi te “Hypo Alpe Adria Banke”, për të cilin ka garantuar Republika e Serbisë. Punët në ndërtimin e ujësjellësit i ishin besuar konsorciumit në të cilin marrin pjesë kompanitë “Dinamik Trade” dhe “PGP Kolashin”, të cilat me zvarritjen e punëve nuk kanë arritur të bëjnë asgjë, ndërsa në një raport të Këshillit Anketues të formuar nga Kuvendi i Serbisë janë keqpërdorur mjetet nga buxheti i Serbisë të dedikuar për të rrezikuarit në Kosovë. Këto dy kompani përmenden për keqpërdorimin dhe për harxhimin e mjeteve të shtetit të Serbisë në territorin e Kosovës. Konsorciumin e ndërmarrjeve që janë angazhuar për ndërtimin e ujësjellësit në veri, përveç “Dinamik Trade” dhe “PGP Kolashin”, e përbëjnë edhe kompanitë “MPP Jedinstvo AD Sevojno” dhe “RDA Grupa” nga Bori. Këtyre kompanive para se të fillojnë me realizimin e projektit u është paguar avanca prej 40 për qind ose 4.2 milionë euro. Tenderi për projektin është shpallur gjatë mandatit të kryeministrit Ivica Daçiq, ndërsa në aktin e nënshkrimit të kontratës ka prezantuar edhe drejtori i atëhershëm i Zyrës Serbe për Kosovën, Aleksandar Vulin.

Në anën tjetër banorët e komunave veriore të Kosovës ia kanë 13 milionë euro borxh kompanisë Ujësjellësi Rajonal Mitrovica, për ç’gjë me fillimin e nëntorit ishin bllokuar xhirollogaritë e KURM-it. Të gjendur në këtë situatë ishte ndërprerë furnizimi me ujë për komunat veriore dhe ishte kërkuar që të paguhet borxhi. Ndërprerjen e ujit për komunat veriore e kishte konfirmuar edhe ministrja në detyrë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiq. “Furnizimi me ujë për pjesën veriore të Mitrovicës dhe të Zveçanit është ndërprerë, sepse Ujësjellësit Rajonal në jug të Mitrovicës i janë bllokuar xhirollogaritë për shkak të pagesë së dhunshme që e ka vendosur ndërmarrja ‘Ibër Lepenci’. Kam kërkuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, të bëjë një zgjidhje të shpejtë të këtij problemi. Kam marrë premtime se problemi i furnizimit me ujë do të zgjidhet. Kam kërkuar që ky problem të zgjidhet urgjentisht, duke u bazuar në një takim të para disa muajve, në të cilin të gjithë pjesëmarrësit janë zotuar se uji nuk do t’u ndalet qytetarëve të veriut. Këtë problem ua kam bërë të ditur edhe përfaqësuesve të BE-së në Kosovë”, pati thënë ajo, ndërkaq drejtori i kompanisë së ujësjellësit rajonal “Mitrovica” – KURM, Sami Miftari, ka se borxhi i banorëve të veriut për ujë kalon 13 milionë euro. Sipas tij, komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, të cilat me ujë të pijshëm furnizohen nga fabrika për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës, kanë borxh për ujë të pijshëm mbi 13 milionë euro. Banorët e këtyre komunave nuk kanë paguar asnjëherë për ujin e harxhuar, ndërsa shpenzimet as nuk u janë faturuar qytetarëve. Qeveria e Kosovës ka subvencionuar kompaninë ujësjellësi rajonal “Mitrovica” herë pas herë, por borxhet janë akumuluar deri në atë masë, saqë tashmë është vështirë të inkasohen. //ZERI